Meta ka një ide për 11-shen, por vendos të mërkurën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:49

Meta ka një ide për 11-shen, por vendos të mërkurën

Pas barazimit pa gola me Vllaznisë pretendente, Besëlidhja dje ka pushuar. Vetëm sot do të rinisë puna dhe të mërkurën lezhjanët do të udhëtojnë drejt Kukësit për të luajtur miqësoren e radhës. Ky test pritet të jetë decizivi për të projektuar formacionin bazë, me të cilin Sokol Meta do të përballojë kampionatin. Tani që kanë mbetur dhe më pak se tri javë nga startimi i kampionatit, drejtuesit janë tepër të kënaqur për ecurinë e deritashme të ekipit. Këtë entuziazëm ata e mbështesin në rezultatet konkrete që kanë arritur deri tani në miqësoret e luajtura, një prej të cilave e kanë fituar me Ilirinë, dhe dy të tjerat kanë barazuar ndaj të njëjtit kundërshtar, Vllaznisë. Në Shkodër lezhjanët barazuan pak para përfundimit të takimit, me një gol spektakolar të shënuar nga mbrojtësi i majtë, Bruno Kepi. Po me barazim përfundoi edhe takimi i luajtur në Lezhë, por pa gola. Kujtojmë që kjo sfidë u ndërpre 15 minuta para kohës së rregullt, pasi trajneri Shpëtim Duro tërhoqi ekipin e tij nga fusha. Krerët e Besëlidhjes, pas ndërprerjes së ndeshjes, u shprehën të habitur nga gjesti antisportiv që demonstroi tekniku i shkodranëve. Por pavarësisht se çfarë ndodhi, ata janë tepër të kënaqur me performancën sportive që po demonstron ekipi në këto ndeshje miqësore. Edhe për këtë sezon, që është në prag të startimit, lezhjanët kanë të njëjtin objektiv, të rikthehen në mesin e më të mirëve. Miqësorja e së mërkurës në Kukës do të trajtohet si një provë gjenerale para startit të edicionit të ri futbollistik.
Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"