Mesi kërcënon Pelenë, “pleshti” kërkon ta thyejë këtë vit rekordin e brazilianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 21:53

Mesi kërcënon Pelenë, “pleshti” kërkon ta thyejë këtë vit rekordin e brazilianit

Vetëm një mit mund të kalojë një tjetër mit. Leo Mesi është në rrugën për të thyer një tjetër rekord, i cili ka jetuar gjatë në botën e futbollit dhe shumë futbollistë e kanë pasur të pamundur për ta arritur.

leo mesi pele

U referohemi 643 golave që ka shënuar Edson Arantes do Nashimento, i njohur si “Mbreti” Pele, me fanellën e Santosit nga vitet 1956 deri në vitin 1974. Askush në historinë e futbollit nuk ka pretenduar që të thyejë rekordin e Pelesë për gola me të njëjtën skuadër deri sa u shfaq Leo Mesi në planetin e futbollit. I vetmi që iu afrua Pelesë ishte Gerd Myler, i cili arriti të shënonte 565 gola me fanellën e Bajernit të Mynihut.

Pele qëndron në majën e “Olimpit” si një nga sulmuesit më të fortë të historisë. Për shumë vite me radhë rekordi i tij nuk kërcënohej nga askush, por në vitet e fundit është shfaqur Leo Mesi, i cili pak nga pak po thyente rekorde dhe nga të gjithë po shihej si lojtari më i mirë i historisë së futbollit. Mesi është sulmuesi që më së shumti u është afruar golave të Pelesë.

Deri në këto momente ka 604 gola me fanellën e Barcelonës dhe i duhen 39 të tjerë për të barazuar Pelenë dhe 40 për ta parakaluar. Për çdo lojtar tjetër do të duheshin shumë sezone që të thyente këtë rekord, por jemi duke folur për Leo Mesin. Ai është një makineri golash, që në 10 sezonet e fundit ka arritur të shënojë patjetër nga 40 gola. Nëse do të konfirmohen edhe këtë vit këto shifra, atëherë rekordi i Pelesë e ka jetën të shkurtër dhe do të thyhet që në këtë sezon.

Për të arritur deri këtu, Leo ka arritur të shënojë 420 gola në La Liga, 112 në Ligën e Kampionëve, 51 në Kupën e Mbretit, 13 në Superkupën e Spanjës, 5 në Botërorët e klubeve dhe 3 në Superkupën e Europës. Për të shënuar 604 gola i janë dashur 691 ndeshje, çka do të thotë se ai shënon një gol në 1.14 ndeshje. Nëse do t’i shtojmë edhe golat me kombëtaren e Argjentinës (68), atëherë shifra në total do të shkojë 672 gola. Lionel Mesi nuk kishte shënuar ende asnjë gol në këtë sezon për shkak të dëmtimit që e mbajti larg fushave të lojës për një kohë të gjatë. Por kundër “gjahut” të tij të preferuar ia doli që të shënonte dhe të nisë rrugëtimin për të bërë një tjetër sezon të shkëlqyer.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"