Mesfushori tregon pse u kthye në Vlorë dhe shanset për Superioren. Batha: Flamurtari luan vetëm finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 12:09

Mesfushori tregon pse u kthye në Vlorë dhe shanset për Superioren. Batha: Flamurtari luan vetëm finale

Idriz Batha u rikthye në Vlorë pas gati pesë vitesh për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit madhor, rikthimin e Flamurtarit në Superiore. 31-vjeçari gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen me Burrelin dhe shpreson që kjo të ndodhë përsëri. Gjatë një intervistë për “Panorama Sport”, Batha e shikon të vështirë ngjitjen direkt në Superiore, ndërsa shpresat më së shumti mbeten te raundi “play-off”.

batha

Gjirokastriti vlerëson si profesionist grupin e lojtarëve. Çdo ndeshje, sipas tij, duhet të shikohet si finale dhe suksesi arrihet duke mos qenë euforik dhe nënvlerësuar kundërshtarët

Batha, si po ju duket aventura në Vlorë në këtë rikthim?

Po e shijoj çdo ditë e më shumë aventurën në Vlorë. Jam me shokë dhe futbollistë të mirë, por edhe në një klub shumë serioz. Jam shumë i lumtur për rikthimin. Ndihem shumë mirë dhe patjetër i respektuar. Jam shumë i angazhuar dhe i përqendruar për të dhënë maksimumin tim, për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit madhor. Të gjithë e dimë peshën e kësaj fanelle, kështu që me përkushtim dhe “kokën ulur” të punojmë për të bërë më të mirën.

Shënuat gol në ndeshjen me Burrelin, ju kënaq kjo gjë?

Kjo është detyra ime që të ndihmoj ekipin me të gjitha forcat e mia. Shpresoj të vazhdoj ta bëj këtë gjë edhe në vazhdim, duke shënuar të tjerë gola. Patjetër që e përjetova mirë, por e përsëris se kam bërë vetëm detyrën. Të gjithë bashkë duhet të mendojmë për t’i zgjidhur ndeshjet në mënyrën sa më pozitive, me qëllim që skuadra të marrë maksimumin në çdo javë.

Ngjitja në Superiore mendoni se do të kalojë përmes “play-off”-it, apo mund të arrihet edhe direkt?

Sigurisht që ngjitja direkt është bërë shumë e vështirë. Pavarësisht kësaj, ne do të vlerësojmë çdo ndeshje si finale. Pastaj, çfarë të ketë shkruar Zoti për ne, do ta pranojmë. Detyrë na del të gjithëve që të bëjmë më të mirën dhe maksimumin në çdo sfidë.

Si e vlerësoni grupin e lojtarëve te Flamurtari?

Grupi është cilësor. Sigurisht që ka edhe eksperiencën e duhur. Dua të them se më pëlqen ekipi dhe komplimente djemve për punën dhe angazhimin në stërvitje. Janë shumë punëtorë dhe të angazhuar në çdo seancë. Punojnë dhe djersijnë shumë. I uroj dhe përgëzoj edhe për paraqitjet që kanë bërë. Kanë treguar grintë, dëshirë për të dhënë më të mirën, si dhe shumë profesionalizëm.

Çfarë prisni nga ndeshja me Korabin, që luhet sërish në Vlorë?

Dua ta theksoj se çdo ndeshje është si finale për Flamurtarin. Edhe në ndeshjen e radhës shpresojmë që të fitojmë dhe të kemi vazhdimësi për të treguar akoma më shumë forcën dhe karakterin e skuadrës, dhe në fund të kemi arsye për të gëzuar e festuar.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"