Mesfushori i Elbasanit “skanon” 7 javët e para të ekipit: Prioritet ngjitja, rivalët na kanë… frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2023 | 13:03

Mesfushori i Elbasanit “skanon” 7 javët e para të ekipit: Prioritet ngjitja, rivalët na kanë… frikë

Falë financave të shëndosha dhe objektivave që i kanë vënë vetes, tani Elbasani ka luksin të afrojë këdo në merkato. Mirëpo, nuk ishte kështu dy sezone më parë. Kur militonin në Kategorinë e Tretë, ishte e vështirë të pranonin lojtarë që vinin nga Superiorja.

gdfg

I pari që iu bashkua ekipit dhe i vetmi që vijon ende të japë kontributin e tij për verdheblutë, është Orgest Gava. Edhe pse e ka “humbur” shiritin e kapitenit dhe në asnjë nga 7 ndeshjet nuk është aktivizuar si titullar, kjo gjë nuk e shqetëson. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 33- vjeçari pohon se mjaftohet me faktin që skuadra po ecën mirë.

“Këtë vit nuk e kam nisur si titullar, por ka plot ndeshje për t’u luajtur. Jam i kënaqur që ekipi po ecën dhe dua të jem në shërbim të skuadrës. Sa herë që të ketë nevojë do të jem aty me mundësitë e mia. Jam i kënaqur që Elbasani do të ecë përpara dhe kjo është parësore”, shprehet fillimisht mesfushori.

ECURIA Në lidhje me atë që ka treguar skuadra këto javë, elbasanasi shprehet se kanë bërë mirë, edhe pse do të ishin ende më të kënaqur nëse do të kishin marrë maksimumin e mundshëm.

“Me ecurinë jemi shumë të kënaqur, edhe pse mund të bënim akoma edhe më shumë. E them këtë duke pasur parasysh ekipin, kushtet që na janë plotësuar, trajnerin apo objektivat që kemi. Duhet të kishim marrë maksimumin, por sërish të kënaqur jemi”, vijoi më tej 33-vjeçari.

NGËRÇI Mesfushori tregon edhe problemin të cilin po hasin këtë sezon, po vuajnë me ekipet që mbyllen në mbrojtje.

“Ky është një problem që na takon ne ta zgjidhim, sepse dihet që të gjitha ekipet, të cilat luajnë kundër Elbasanit janë të motivuar dhe japin shpirtin. Kanë frikë mbase mos pësojnë shumë gola. Kjo gjë na bën edhe ne të japim akoma më shumë, por me kalimin e kohës do të bëjmë një lojë më të mirë dhe të gjithë lojtarët do të vijnë në formën e tyre, duke ditur që kemi pasur edhe dëmtime. Do t’u marrim maksimumin të gjitha ndeshjeve”, u shpreh numri “10” i verdhebluve.

FLAMURTARI Ndeshja me Flamurtarin shihet si një finale më vete, por më herët duhet të luajnë Kupën, ku duan të avancojnë sa më shumë. “Kupa është një nga objektivat tanë, ndaj do të hyjmë në fushë me Besëlidhjen për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Sa i përket Flamurtarit, nuk do të jetë e lehtë, sepse dihet që edhe ata kanë synimet e tyre dhe duan të ngjiten në tabelë. Por ne kemi objektivat tanë dhe do t’i marrim ndeshjet një e nga një. E shohim si përballjet e tjera, por ne duhet të jemi të qetë, të luajmë pa presion dhe të dalim në lojën tonë. Besoj se në fund do të marrim maksimumin”, përfundoi Gava.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"