Mesfushori i Apolonisë u jep zemër fierakëve: Nuk i trembemi rivalitetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2021 | 20:35

Mesfushori i Apolonisë u jep zemër fierakëve: Nuk i trembemi rivalitetit

Është vetëm 21 vjeç, por ka plot 4 sezone që aktivizohet me ekipin e parë të Apolonisë. Flasim për Stefano Omerin, lojtarin e dalë nga akademia fierake. Mesfushori është sakrifikuar shpesh për interesa të skuadrës, duke luajtur edhe si mbrojtës i djathtë. Është i shpejtë dhe dallohet për inkursionet e tij në krahë dhe pavarësisht moshës së re, është një nga elementët më me përvojë të bardhejeshilëve. Ai ndodhet nën kontratë me klubin dhe nuk është pesimist për vazhdimin e garës në Kategorinë e Parë, gjë që e pohon edhe në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”:

Omeri

“Më vjen keq që nuk realizuam objektivat dhe pritshmëritë në Superiore, – thotë mesfushori fierak. – Ishte një përvojë e re dhe shumë e vlefshme për një skuadër si kjo jona me elementë përgjithësisht të rinj. Ne lamë gjurmën tonë sado modeste qoftë në këtë kampionat. Por, mendoj se mund të kishim bërë shumë më mirë. Megjithatë, kjo është pjesë e së shkuarës dhe tani na duhet të mendojmë për sezonin e ri”. Për Omerin ka pasur oferta që i janë drejtuar klubit fierak, por vetë lojtari nuk do që të flasë për këtë, pasi sipas tij është çështje që u takon drejtuesve të klubit. “Nuk mund të flas për këtë problem, sepse nuk më takon mua.

Unë kam një kontratë me klubin dhe e respektoj atë. Janë drejtuesit që marrin vendime në raste të tilla. Për sa i përket kampionatit të ri, ne nuk i trembemi aspak, ndonëse rivaliteti këtë herë do të jetë shumë më i fortë. Bashkimi i grupeve them se do ta rrisë konkurrencën dhe do t’i shërbejë cilësisë së garës. Mendoj se Apolonia ka përvojën e duhur për ta përballuar me sukses një kampionat të tillë. Besoj se do të ndërtojë skuadrën e duhur për të realizuar objektivat tanë, që do të kenë si qëllim final rikthimin në Superiore”, përfundoi mesfushori.

Për ekipin e parë, ai numëron 60 ndeshje. Ka shënuar 6 gola, 1 prej të cilëve në Superiore dhe dallohet si një ndër lojtarët më korrektë në fushë dhe dëshmia më e mirë janë vetëm 2 kartonë të verdhë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"