Merr tjetër pamje “Roza Haxhiu”, ngecin punimet te fusha stërvitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 23:17

Merr tjetër pamje “Roza Haxhiu”, ngecin punimet te fusha stërvitore

“Makthi” për Lushnjën po shkon drejt fundit. Skuadra u bë muaj që endet ku të mundet, pasi “Roza Haxhiu” ka mbyllur dyert. Terreni ishte totalisht jashtë funksionit dhe drejtuesit vendosën që të ndërhynin. Në fakt u kujtuan pak vonë, por situata u doli nga kontrolli.

Lushnja stadiumi

Në vend që të nisin rikonstruksionin e pjesshëm sapo u mbyll sezoni i kaluar, u kujtuan kur nisi kampionati i ri. Kjo detyroi ekipin që ndeshjet si pritës t’i luante ku të gjente. Deri më tani kanë shkuar në Elbasan, por edhe në Berat e Peqin. Plani është që sorollatjes t’i jepet fund pas pushimit të Kombëtareve.

Sot që flasim është mbjellë bari dhe gjithçka duket gati. Pas një vëzhgimi të “Panorama Sport”, rezulton gjendja si në foton e parë. Jeshillëku e ka mbuluar, ndonëse mungon vijëzimi. Sipas të gjitha gjasave, stadiumi do të jetë gati më 28 tetor. Përkon me javën e 9-të të Kategorisë së Parë, kur kundërshtar do të kenë Kastriotin. E megjithatë, në klub refuzojnë të japin një datë se kur do të jetë gati zyrtarisht. Ndoshta nga frika e ndonjë pengese që mund t’u dalë rrugës.

TERRENI STËRVITOR – Në Lushnjë janë miratuar miliona për infrastrukturën, por jo çdo investim ka mbaruar. Sikur të mos mjaftonte fakti që edicionin e kanë nisur në “migracion”, edhe seancat stërvitore po i zhvillojnë larg qytetit. Konkretisht në fushën e Plugut, që ndodhet 3 kilometra në veriperëndim të Lushnjës.

Fusha me sipërfaqe 8030 m2 me mbjellje natyrale dhe sistem vaditjeje, është ende në rikonstruksion. Siç duket edhe në foton e dytë, ku dallohet vetëm shtrimi i një shtrese zhavorri dhe në një cep është një dunë rëre.

Do të duhet ende kohë që kjo fushë të përfundojë. Edhe pse kanë kaluar afërisht 21 muaj nga miratimi dypalësh i Komitetit Ekzekutiv dhe Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ky terren nuk është gati. Kujtojmë që investimi në fjalë është dypalësh, mes Bashkisë Lushnjë dhe FSHF-së.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"