“Merkato në Superiore dhe trajner i ri për Elbasanin”/ Nga aksionet tek objektivi, rrëfehet administratori Çoku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 20:53

“Merkato në Superiore dhe trajner i ri për Elbasanin”/ Nga aksionet tek objektivi, rrëfehet administratori Çoku

Në harkun kohor të më pak se dy viteve, AF Elbasani arriti të ngjitet në Kategorinë e Parë, duke qenë vetëm një hap larg elitës së futbollit shqiptar. “Arkitekti” i ngritjes së një klubi nga zero, është administratori Marenglen Çoku, që nuk e konsideron ende punën të përfunduar. Pa shkuar në Superiore, nuk do të kënaqen dhe ky është misioni i ri i verdhebluve.

coku

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai e përkufizon sezonin që sapo lamë pas si tepër pozitiv, ndërsa premton surpriza të mëdha për ekipin në Kategorinë e Parë. Nga lojtarët e rinj që do të afrohen dhe deri te përzgjedhja e trajnerit. Sqaron se biznesmenë të ndryshëm kanë shfaqur interes për të blerë aksionet e klubit, duke i garantuar edhe më shumë financa për vazhdimësinë.

Çoku, si do ta përkufizonit këtë edicion që sapo u mbyll?

Ne kishim hyrë në garë me objektiva të qarta, për të siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ia dolëm dhe kjo është një gjë shumë pozitive dhe nuk ishte aspak një garë e lehtë. Në harkun kohor të dy viteve kemi ngjitur shkallët aty ku synonim dhe normalisht jemi të kënaqur me këtë ecuri.

Megjithatë, u mundët në finale me Vorën. Ndieni ndonjë keqardhje?

Jo, jo. Normalisht donim ta fitonim edhe atë trofe, kuptohet. Por, e pata thënë edhe më herët që ishte më shumë si një ndeshje prestigji, për aq kohë sa të dyja ekipet i kishin arritur objektivat. Nuk e morëm dot, e provuam, gjithsesi nuk ka asnjë problem, sepse mbetet një sezon shumë i mirë për ne.

Tani do të militoni në një tjetër nivel, çfarë synoni në Kategorinë e Parë?

Ndoshta mund t’u duket herët të flas që tani, sepse ky kampionat sapo u mbyll. Por ne i kemi idetë e qarta që do të marrim pjesë në garë për t’u ngjitur në Superiore. Që kur i kemi hyrë kësaj rruge këtë synim kemi pasur, t’i ngjisim shkallët një e nga një deri sa të arrijmë në elitë.

A keni nisur të piketoni lëvizjet në merkato, sepse e Para kërkon më shumë cilësi…

Jemi të qartë në atë që na pret dhe që kërkohet në këtë nivel. Nuk dua të zbuloj shumë gjëra, sepse është edhe paksa herët, por i sigurt është fakti që do të bëjmë merkato dhe do të përforcojmë skuadrën. Kemi piketuar lojtarë që militojnë në Superiore dhe kemi bindjen se do të bëjnë diferencën. Prisni se do të shihni surpriza dhe një ekip cilësor këtë sezon.

coku2

Po për trajnerin e ri keni vendosur?

Jo, nuk kemi vendosur ende. Edhe në këtë aspekt jemi në kontakte dhe po shohim se cili mund t’i përshtatet projektit tonë. Falënderoj Eriol Merxhën, që iu gjend pranë ekipit kur patëm nevojë dhe dha ndihmën e tij për arritjen e objektivave. Falënderimet shkojnë edhe për Gentian Stojkun dhe Elton Cenon, që bënë një punë të mirë me skuadrën dhe e lanë në vendin e parë.

Klubi aktualisht është në pronësi të bashkisë. Kështu do të vazhdojë?

Së pari, Bashkia e Elbasanit ka qenë një ndihmë e madhe për klubin. Kryebashkiaku Gledian Llatja është interesuar personalisht për ecurinë e kësaj skuadre, për bizneset që na janë gjendur pranë sa herë që klubi ka pasur nevojë, sepse nuk është pak të afrohen kur luan në këto nivele. E patjetër edhe për tifozët që na kanë mbështetur në çdo stadium. Sa u përket aksioneve të klubit, qëllimi është të shiten te biznesmenë, që mund ta mbajnë dhe që të kenë synime për ta dërguar këtë skuadër aty ku i takon.

A ka të interesuar për të blerë aksione?

Interesime ka pasur dhe kam besim se shumë shpejt do të zgjidhet edhe kjo çështje, në mënyrë që skuadra të ketë financa sa më të shëndosha dhe të jemi një klub me ambicie shumë më të mëdha se thjesht ngjitja në Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"