“Merkato dhe trajneri ndryshuan Kastriotin”, Husein tregon situatën te krutanët dhe ambiciet në vazhdim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 21:14

“Merkato dhe trajneri ndryshuan Kastriotin”, Husein tregon situatën te krutanët dhe ambiciet në vazhdim

Kastrioti arriti të merrte pikë në transfertën me Partizanin duke regjistruar për herë të parë dy rezultate pozitive radhazi në këtë kampionat. Nisja e pjesës së dytë të sezonit me këto rezultate pozitive, sigurisht që ka sjellë një farë besimi te skuadra, e cila që prej ardhjes në krye të pankinës të trajnerit Emiljano Çela, duket se është gjallëruar.

Husein

Lukman Husein, mbrojtësi nigerian i krutanëve, për “Panorama Sport” tregon gjendjen e Kastriotit pas këtyre dy rezultateve dhe besimin që kanë për vazhdimësinë.

Sa i përket situatës momentale te krutanët, Husein u shpreh: “Jemi të kënaqur me këtë nisje të pjesës së dytë të sezonit, pasi 4 pikë nuk janë pak, ndonëse me pak kujdes në ndeshjen ndaj Partizanit, mund të kishim marrë më tepër. Sigurisht që ky ndryshim për mirë i skuadrës ka ardhur si pasojë e frymës së re që ka sjellë trajneri i ri, por edhe afrimet e merkatos në skuadër kanë bërë të vetën”.

Mbrojtësi nigerian kërkon që ekipi të ruajë ritmin në vazhdimësi, në mënyrë që të dalë nga zona e rrezikut dhe të arrijë objektivin sezonal, mbijetesën në Superiore. “Shpresojmë që të mbajmë të njëjtin ritëm edhe për ndeshjet në vazhdim. Është shumë e rëndësishme që të mos ‘fluturojmë’ me dy rezultate, por të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Vetëm kështu mund të arrijmë të marrim më të mirën nga çdo ndeshje dhe të realizojmë objektivat. Sa i takon ndeshjes së radhës me Vllazninë, dihet që është një kundërshtar i vështirë, por ne do të japim më të mirën për të marrë maksimumin nga ky takim. Shpresoj që ta kalojmë me sukses”, përfundoi Husein.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"