Menaxheri Kostandin Grillo: Laçi të mos dorëzohet, ja pse ka shanse ndaj Anorthosis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2018 | 16:15

Menaxheri Kostandin Grillo: Laçi të mos dorëzohet, ja pse ka shanse ndaj Anorthosis

“Laçi nuk duhet të ndihet inferior ndaj Anorthosis. Nëse e merr seriozisht, jam i bindur që do të bëjë të papriturën. Klubi qipriot është në rënie dhe mbi të gjitha ka tifozët kundër”. Është ky apeli që i bën klubit kurbinas në prag të ndeshjes me qipriotët më 12 korrik menaxheri shqiptar, Kostandin Grillo. I njohur për lidhjet e tij të ngushta prej afro dy dekadash me klubet qipriote, Grillo tregon për “Panorama Sport” situatën aktuale të rivalit të Laçit në Ligën e Europës.

kosta grillo

“Anorthosis është normalisht favorit, por skuadra kurbinase nuk ka pse të dorëzohet. Klubi qipriot ka pësuar rënie gjatë pesë viteve të fundit dhe kjo vjen si pasojë e problemeve të mëdha në aspektin financiar. Nuk mund të quhet ‘gogol’ për Laçin ky rival. Mjafton të kujtoj se përplasja e fundit në Europë e Anorthosis është ndaj gjeorgjianëve të Dila Gori, teksa është eliminuar turpshëm. Pas atij eliminimi, tifozët sulmuan futbollistët e tyre dhe UEFA dënoi fushën.

Ndeshja e parë, më 12 korrik, që do të luhet në Larnaka, do të jetë pa tifozë. Unë mendoj se ky është një plus shumë i madh për futbollistet e Besnik Prengës, pasi Anorthosis ka një tifozëri shumë fanatike dhe të zjarrtë. Klubi qipriot edhe në këto momente vijon të ketë probleme financiare, duke pasur shumë borxhe të së kaluarës, pikërisht që nga koha kur presidenti Andreas Pantelis arrinte suksesin më të madh me klubin që mori pjesë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Pantelis është një personazh i njohur për bëmat e tij dhe ka probleme me drejtësinë. Sa i përket skuadrës, unë dua të veçoj dy lojtarë që bëjnë diferencën dhe janë të dy qendërmbrojtës: braziliani Duglao dhe kroati Sindefeld. Portieri më i mirë që kanë pasur, izraeliti Harush, iu është larguar.

Pika e referimit të tyre është spanjolli Ruben Rajos. Nga ky lojtar kalon çdo top dhe duhet kujdes i madh. Duke shfrytëzuar stadiumin e boshatisur, ashtu edhe nënvlerësimin e qipriotëve, unë besoj se Laçi do të bëjë surprizën”, deklaron Grillo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"