Memushi tregon aksidentin e Bylisit: Pamë tmerr, na shpëtoi Zoti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2016 | 10:35

Memushi tregon aksidentin e Bylisit: Pamë tmerr, na shpëtoi Zoti

Një veprim i beftë, përplasje e menjëhershme dhe më pas në kanal. Autobusi i Bylisit u përfshi dje në një aksident rrugës për në Lushnjë ku skuadra do të luante sfidën e radhës në kampionat. Lojtarët janë tronditur nga aksidenti që kanë përjetuar, në një kohë që 4-5 lojtarë kanë pësuar shembje për shkak të përplasjes.

memushi

Gjithçka ka ndodhur në vendin e quajtur Portëz në aksin Patos-Fier ku autobusi i Bylisit ka goditur fillimisht një Benz dhe më pas ka përfunduar në kanal. Në një rrëfim për gazetën, trajneri Eqerem Memushi tregon tmerrin që përjetuan lojtarët dhe të gjithë pasagjerët që ishin në autobus.

Ku ndodhi ekzaktësisht aksidenti?

Ishim duke udhëtuar normalisht drejt Lushnjës ku do të luanim ndeshjen e radhës për kampionat. Ishim në aksin Patos-Fier në vendin e quajtur Portëz. Ishte ora 12 pa çerek kur ndodhi përplasja.

aksidenti2

Po, si ndodhi aksidenti?

Ishim në rrugë të drejtë duke ecur normalisht dhe përpara kishim një makinë Benz. Në momentin e fundit, makina që ishte para nesh ndez sinjalin dhe tenton të kthehet majtas. Në këtë moment, e goditëm Benzin, por falë Zotit shpëtuam gjallë ne dhe ata që ishin në automjet. Goditja ishte e pashmangshme, pasi mënyra se si u kthye Benzi ishte e menjëhershme.

aksidenti

U dëmtua ndonjë futbollist apo pjesëtar i stafit?

Futbollistët janë tronditur dhe 4-5 prej tyre kanë pësuar shembje të lehta për shkak të goditjeve që kanë marrë. Benzi u shty në një rrugë dytësore pas goditjes që mori, ndërsa autobusi ynë përfundoi në kanalin ngjitur rrugës duke u shtypur në pjesën përpara. Shoferi dhe 4-5 lojtarë kanë pësuar goditje të lehta.

Kush janë lojtarët e dëmtuar?

Ledjon Muçaj, dy portierët, Mario Mema e Klodian Xhelilaj, zv/trajneri Mariglen Kule dhe lojtarët Agim Meto e Orgest Gava. Tani që po flasim ka ardhur edhe policia dhe po heton në lidhje me çfarë ndodhi.

Ndeshja është shtyrë për nesër (sot), mendon se lojtarët janë gati për të luajtur pas kësaj traume?

Ishte një aksident jo i lehtë dhe për mendimin tim, ndeshja duhej të ishte shtyrë për disa ditë. Megjithatë, në një situatë të tillë, është FSHF që vendos dhe ne do të na duhet thjesht të zbatojmë atë që do të përcaktohet.

Sfidën me Lushnjën, si e vlerësoni?

Është një ndeshje shumë e vështirë në transfertë përballë një prej ekipeve që synon ngjitjen në Superiore. E dimë forcën e Lushnjës, që ka marrë maksimumin e pikëve në të gjitha takimet. Gjithsesi, Bylis i ka të gjitha mundësitë për të dalë me fitore nga ky takim.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"