Mema bën gati ndryshime te Kastrioti, kërkohen me çdo kusht pikë ndaj kryesuesve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 20:05

Mema bën gati ndryshime te Kastrioti, kërkohen me çdo kusht pikë ndaj kryesuesve

Futbollistet e Kastriotit të Krujës, nën urdhrat e trajnerit tyre Ardian Mema, që prej afro një muaji drejton këtë ekip, po vijojnë përgatitjet intensive për ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit në Kamzë. Përballje kjo me një koeficient të lartë vështirësie për vetë pozitat e këtyre skuadrave, ku Kastrioti në kuotën e 18 pikëve, e Partizani me 29 pikë aktualisht në vendin e parë, e bën këtë ndeshje mjaft delikate për të dyja ekipet.

kastrioti

“Panorama Sport” ndoqi seancën e së enjtes të Kastriotit në kompleksin e kombëtares në Kamzë ku u vu re që fokusi i futbollistëve dhe stafit drejtues, është i përqendruar totalisht për përballjen me sukses ndaj Partizanit. Fillimisht drejtori teknik i Kastriotit, Gazmend Vogli, ka zhvilluar një mbledhje me futbollistët e stafin e trajnerëve.

Më pas trajneri Mema ka vijuar seancën stërvitore të radhës ku grupi i futbollistëve ka qenë i plotë, por ajo që ka rënë në sy ishte dëshira e futbollistëve e serioziteti për të dhënë maksimumin. Siç përmendëm më lart, rëndësinë e kësaj ndeshje te Kastrioti e konsiderojnë si ndeshje e radhës, pasi, edhe pse Partizani ndodhet në vendin e parë diferencat mes ekipeve në aspektin e lojës janë të vogla. Ndërkaq, mes këtyre dy ekipeve shpeshherë rivaliteti ka qenë i madh.

MUNGESAT – Kastrioti do të luajë pa dy titullarët në repartin difensiv, Adolf Selmani dhe Martin Prenkoviç, pasi kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë, por për zëvendësimin e tyre mësohet se ka menduar trajneri Mema, i cili ka bërë zgjedhjen e duhur me lojtarë të tjerë, që pritet të mësohen në ditën e ndeshjes.

DËMTIMI – Te Kastrioti lojtari i vetëm, Armando Rami, ndodhet i dëmtuar prej javësh, por bëhet e ditur se 26- vjeçari që prej tri sezonesh luan për ngjyrat e Kastriotit. Ai është aktivizuar në 94 ndeshje zyrtare, ka filluar stërvitje të diferencuar dhe pritet të jetë i gatshëm në javët në vijim.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"