MeKeni i karikuar për sfidën me “Djallin”: Dua golin e tretë radhazi, nëse mundim Milanin hapim shumë shtigje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 12:50

MeKeni i karikuar për sfidën me “Djallin”: Dua golin e tretë radhazi, nëse mundim Milanin hapim shumë shtigje

Ueston MeKeni është pa dyshim futbollisti më në formë i Juventusit për momentin dhe këtë e konfirmojnë edhe shifrat e tij, dy gola në dy ndeshjet e fundit (përjashtuar Sampdorian, duke qenë se amerikani nuk ishte i grumbulluar).

mekeni

Si Udinezes në kampionat ashtu sikurse Interit në finalen e Superkupës, amerikani i realizoi të dyjave me kokë dhe pa dyshim që fama e tij tashmë ka kapur yjet edhe përtej Atlantikut, ndaj përpara supersfidës së të dielës me Milanin, mesfushori i ardhur sezonin e kaluar nga Shalke 04 ka treguar disa prej emocioneve të sfidës.

“Sivjet kam shënuar 4 gola dhe është një shifër të cilën mund ta përmirësoj ende më shumë. Madje, ideja ime është që ta bëj këtë që nga ndeshja e ardhshme kundër Milanit, pasi ‘San Siro’ më ka sjellë fat ndaj Interit, për sa i përket aspektit personal dhe pse jo jam gati që të shënoj sërish. Me skemat e reja të trajnerit Alegri luaj shumë më pranë portës dhe kjo më lejon që të kem më tepër mundësi inkursioni dhe të provoj më shpesh portën.

E di që ndoshta mund të kisha shënuar ndonjë gol më tepër, siç kërkon me të drejtë trajneri ynë, por jam gati dhe më i karikuar se kurrë. Çfarë atmosfere ndihet para një ndeshjeje si me Milanin? Ajo e një dueli direkt, ndonëse në renditje jemi me pozita të kundërta.

Gjithsesi, adrenalina rritet vetiu, pasi do të jetë një duel spektakolar, por ne vijmë nga një moment shumë pozitiv dhe duhet ta shfrytëzojmë atë.

Pse jo, duke marrë një fitore me Milanin, mund të hapim shumë shtigje të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit, pasi deri në fund ka shumë ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë. Besojmë ende te titulli? Këtë përgjigje do e jap nëse mundim Milanin”, tha për mediat amerikane MeKeni.

Kujtojmë se 23-vjeçari, pseudonimi i të cilit është “Marinsi”, ia ka kushtuar bardhezinjve në total 26.5 milionë euro, shifër kjo që do të shlyhet përfundimisht në dy vitet e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"