Meha: E kam ruajtur një gol për Serbinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2014 | 9:20

Meha: E kam ruajtur një gol për Serbinë

Meha kryesoreMesfushori shqiptar i Paderbornit, Alban Meha, gjatë këtyre ditëve është duke pushuar në Kosovë. Ai ka parë stërvitjen e përfaqësues së Kosovës para miqësores kundër Turqisë, duke dhënë edhe një prononcim për mediat vendëse. Mesfushori ka pohuar se është i ngazëllyer që skuadra e tij, Paderborni, arriti të ngjitej në Bundesligën 1. “Jam shumë i kënaqur, sepse askush nuk e ka menduar që Paderborni, një ekip i vogël, mund të hyjë në elitën e futbollit gjerman. Nuk e di as vetë sesi ndodhi kjo mrekulli, pasi ishim koshientë se nuk kishim organikë dhe synime për të shkuar aq larg. Tani duam që të qëndrojmë sa më shumë që të jetë e mundur në Bundesligën 1, pasi nuk mund të pretendojmë më shumë sesa kaq”, – ka pohuar Meha. Meha ka folur edhe për eliminatorët e Europianit 2016, ku, sipas tij, grupi ku bën pjesë Shqipëria është i vështirë, por ekziston edhe mundësia e ndonjë surprize. E natyrisht, Meha ka prekur edhe përballjen me Serbinë. “Janë shumë ekipe të forta. Ndeshjen e parë e kemi kundër Portugalisë. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë, por edhe ekipet e tjera janë shumë të forta, ndaj duhet të shohim se çfarë shansesh kemi. Me serbët, ne që jemi të Kosovës, kemi qejf të luajmë kundër. Normal se kundër Serbisë është gjë e madhe nëse arrij të shënoj një gol”, – thotë Meha. Kujtojmë që Meha pritet të marrë edhe çmimin e “Lojtarit të Vitit” në Bundesligën e dytë gjermane. Sipas uebsajtit “ligazwei. de”, prej disa ditësh, ka nisur votimi online dhe mesfushori kuqezi kryeson me 51.56% të votave përkundrejt rivalëve të tij.

GashiGashi, pjesë e ekipit të vitit në Zvicër
Ishte sezoni i Shkëlzen Gashit. Pasi mori zyrtarisht “Këpucën e Artë” në Zvicër (shënoi 19 gola, duke lënë pas me një diferencë të madhe, prej 6 golash, Gavranoviçin e Zyrihut), mesfushori i avancuar i Grasshopersit është bërë pjesë edhe e skuadrës së edicionit në elitën e futbollit helvet. E përditshmja prestigjioze “Blick” ka publikuar dje formacionin më të mirë të sezonit, duke lëshuar edhe batuta të tipit: “Nëse një skuadër do kishte pasur në organikë këta 11 lojtarë, me siguri që do kishte dalë kampione që në mes të sezonit”. Dominon sigurisht kampioni në fuqi, Bazeli, por gjithsesi ka goxha gjeografi. Në portë është Jan Somer i Bazelit. Në mbrojtje, Beg Ferati i Sionit (luan për përfaqësuesen e Kosovës), Von Bergen i Jang Bojs, Shirinzi i Thun dhe Lusher i Araut. Në mesfushë, Zufi (Thun), Salatiç (Grasshopers) dhe Stoker (Bazel). Ndërsa sulmi përbëhet nga Streller (Bazel), Gavranoviç (Zyrih) dhe natyrisht edhe Shkëlzen Gashi (Grasshopers). Përveç kësaj, Gashi ka përfunduar në shënjestrën e shumë klubeve europiane. Javën e shkuar mediat bënin me dije se një skuadër e njohur e Serisë A (Torino ose Lacio) i ka ofruar Gashit një kontratë trevjeçare me një rrogë prej 700 mijë eurosh neto rrogë në sezon, me një rritje të konsiderueshme në dy sezonet e mëpasme, kjo në varësi të asaj që lojtari do japë në fushën e lojës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"