“Më zhgënjeu Disiplina, të padrejtë”, Hysa komenton përjashtimin dhe flet për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 22:39

“Më zhgënjeu Disiplina, të padrejtë”, Hysa komenton përjashtimin dhe flet për të ardhmen

Tërbuni është shpërndarë. Të detyruar nga vendimi i dhënë prej Komisionit të Disiplinës, stërvitja është ndalur dhe secili lojtar po punon individualisht.

VILFOR HYSA

Ky është edhe rasti i Vilfor Hysës, autorit të 4 golave me pukjanët. Sulmuesi është tejet i zhgënjyer nga dënimi që iu dha ekipit të tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, e quan të padrejtë dhe tërësisht dashakeqës përjashtimin.

“Jam shumë i zhgënjyer nga Komisioni i Disiplinës. Ne ishim të dëmtuarit në atë ndeshje të famshme, ndaj përjashtimi është sa ekstrem aq edhe i padrejtë. Të dënohet një rreth që e do aq shumë futbollin, një qytet sportdashës, me vjen sinqerisht shumë keq”, tha fillimisht 33-vjeçari. Lojtari mbetet në pritje të asaj që do të ndodhë me klubin, paçka se shanset për një kthim të tij janë të pakta. “Tani për tani jemi ende të një pritje se si do të shkojnë gjërat.

Në aspektin personal, kam një kontratë deri në mbyllje të sezonit dhe dua ta respektoj atë, pavarësisht se nuk më kanë munguar ofertat nga disa klube. Sidoqoftë, do të bisedoj me drejtuesit e klubit, pasi dëshiroj të jem përsëri pjesë te Tërbunit. Kam shpresë që do të rikthehemi direkt në Kategorinë e Parë”, ka deklaruar sulmuesi Vilfor Hysa.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"