Më në fund flet Etrit Berisha: Zahavi, merkato, penalltitë dhe… Aida

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2017 | 14:22

Më në fund flet Etrit Berisha: Zahavi, merkato, penalltitë dhe… Aida

Etrit Berisha thyen heshtjen e gjatë. Portieri i përfaqësueses shqiptare kishte shmangur thuajse çdo lloj kontakti me mediat që nga muaji nëntor, pas ndeshjes së shumëpërfolur ndaj Izraelit ku u ndëshkua me karton të kuq dhe padyshim ishte ndër protagonistët negative në disfatën e përfaqësueses shqiptare.

Portieri ka folur për mediat italiane në një intervistë të gjatë duke treguar për atë episod të veçantë që do ta detyrojë ta ndjekë si spektator ndeshjen me Italinë, por edhe për eksperiencën e tij në Serinë A, apo jetën personale.

berisha

Çfarë mendoni për Sportielon, që tani ka kaluar te Fiorentina?

Është shumë i mirë si portier dhe si njeri. Ka përpara një të ardhme të shkëlqyer.

Nesër ndesheni me të kaluarën tuaj të afërt…

Te Lacio jam rritur si lojtar dhe në nivelin personal. Më mundësoi të arrija Italinë, që për mua përfaqësonte një ëndërr. Përgatitësit këtu janë shumë të mirë, shumë teknikë. Janë në gjendje të të përmirësojnë shumë.

Çfarë ndeshje prisni?

Atalanta dhe Lacio janë dy skuadra në formë. Do të fitojë kush do të ketë më shumë dëshirë për sukses. Me siguri do të jetë një ndeshje e vendosur nga episode. Jam i bindur që ne jemi më të fortë, kemi dëshirë të fitojmë dhe këtë e treguam të mërkurën edhe kundër Juventusit, pavarësisht humbjes përballë një skuadre që fiton edhe kur luan keq.

berisha

Cilat janë ndryshimet mes Piolit dhe Gasperinit?

Janë të ndryshëm, në përgatitjen e ndeshjes dhe taktikisht.

Në debutimin tuaj te Atalanta pësuat 3 gola ndaj Kaljarit, ndërsa ndeshja e parë ndaj Lacios ishte gjithashtu për t’u harruar…

Po, por ndaj Kaljarit nuk u paraqita keq, shmanga gola të tjerë dhe që nga ai moment ndjeva besimin e trajnerit. Kurse ndeshja e kaluar me Lacion ishte vetëm fillimi, gjërat kanë ndryshuar dhe mund të përmirësohemi më shumë.

Cila është pritja më e bukur që keni bërë këtë sezon?

Kundër Napolit, me gjuajtjen fluturimthi të Milik dhe në Kaljari ndaj një devijimi të Saut. Deri tani nuk mendoj se kam bërë gabime të veçanta.

Si e shihni Atalantën pas kthimit nga dëmtimi?

Shumë mirë, kemi treguar se loja jonë nuk varet vetëm nga një lojtar. Kemi një mbrojtje shumë të fortë dhe përpara është gjithmonë dikush në gjendje të bëjë diferencën dhe të gjejë golin.

E keni fjalën për Galjardinin?

Ai është shumë i aftë dhe i jepet një mundësi e madhe të Interi. Do të rritet edhe më shumë, por Atalanta do të vazhdojë gjithsesi të paraqitet mirë.

berisha marketi strakosha

Meqë ra fjala te merkato, ju në Bergamo jeni i dhënë borxh nga Lacio. Çfarë do të ndodhë në qershor?

Nuk varet vetëm nga unë. Në fund të sezonit do të vlerësojmë gjithçka bashkë, me Atalantën dhe Lacion. Nuk po mendoj asgjë tani, pasi do të më hiqte energji. Objektivi im është të mbaroj sa më mirë kampionatin duke vazhduar të përmirësohem. Për momentin nuk ka rëndësi asgjë tjetër. Në Bergamo ndjehem mjaft mirë. Më pëlqejnë ambienti, tifozët dhe qyteti, edhe pse është ndryshe nga Roma. Më i qetë. Pastaj, është e rëndësishme që edhe familja dhe e fejuara ime Aida ndjehen mirë këtu.

Nga është e fejuara?

Nuk jua them.

Po objektivi i Atlantës, cili është?

Në këtë pikë të kampionatit dhe me këtë klasifikim duhet të jetë kualifikimi në Europë. Mund të synojmë vendin e pestë me qetësi nëse vazhdojmë të luajmë kështu, e sidomos nëse besojmë se mund ta arrijmë.

Kapitulli Kombëtare…

Të veshësh fanellën e Shqipërisë për mua është maksimumi. Nuk ka asnjë gjë që mund të krahasohet me të.

Etrit Berisha

Prej pak kohësh u formua edhe përfaqësuesja e Kosovës. A keni menduar ndonjëherë të bëheni pjesë e saj, meqë jeni lindur dhe rritur atje?

Për mua nuk ka shumë ndryshim, ndjehem njëkohësisht shqiptar dhe kosovar. Ka shumë kosovarë që janë tifozë me Shqipërinë. Unë kisha mundësinë edhe të vishja fanellën e Suedisë, por preferova të prisja ftesën e ‘shqiponjave’.

berisha zahavi

Do të mungoni ndaj Italisë për shkualifikim…

Për shkak të kartonit të kuq që mora ndaj Izraelit, për përplasjen kokë më kokë me Zahavin i cili rrëzua në tokë. Nuk e meritoja, edhe pse e pranoj se kam humbur qartësinë në atë moment. Ndjej një inat brenda meje që nuk e imagjinoni. U shkualifikova se preka me kokë një kundërshtar i cili bëri një skenë të pahijshme. Më vjen keq që humb ndeshjen me Italinë, e kisha ëndërruar që kur u shpall kalendari për kualifikueset e Botërorit. Por mësova një rregull të ri, mund të jepet penallti edhe me topin larg zonës.

Po nga Europiani i vitit të kaluar, çfarë kujtimi keni?

Një kujtim shumë të bukur, më vjen keq që nuk kemi arritur më shumë dhe u eliminuam që në grup. Paguam mungesën e eksperiencës. Më vjen keq sidomos për të gjithë tifozët që na kanë ndjekur në mënyrë të shkëlqyer.

Keni luajtur gjithmonë si portier?

Kur isha fëmijë mbaja fanellën me numrin 7, isha mesfushor i majtë. Pastaj në një stërvitje me skuadrën ku luaja në atë periudhë, 2 Korriku, nuk u paraqit portieri dhe me vendosën mes shtyllave. Isha 8 vjeç dhe që atëherë nuk kam lëvizur nga ai pozicion.

Nuk ju erdhi keq?

Jo, pasi më pëlqeu menjëherë ai rol, ndryshe nga shokët e mi të skuadrës. Zakonisht në portë hynte ndonjë futbollist i dobët…

berisha

Storari në moshën 40-vjeçare shkon te Milani për të qenë zëvendësuesi i Donarumas që është 17…

Një shembull i madh profesionalizmi.

A do t’ju pëlqente të luanit deri në 40 vjeç?

Nëse do të jem mirë, pse jo?

Cili është modeli juaj?

Van Der Sar. Një portier i kompletuar. Ndoshta edhe për faktin se i ngjaj fizikisht. Aktualisht në Itali ka shumë portierë të zotë si Perin apo Handanoviç.

Po sulmuesi më i fortë?

Padyshim është Higuain.

A keni ndonjë peng?

Jo. Në fakt po. Që kur kam ardhur në Itali nuk gjuaj me penallti. Në Suedi kam gjuajtur disa të tilla. I gjuaja mirë në stërvitje dhe që aty fillova t’i gjuaj edhe në ndeshje. Sipas meje, një portier që gjuan ka më shumë mundësi të shënojë, pasi njeh më shumë se të tjerët se si mund të lëvizë kolegu i tij në portë. Nëse trajneri ma kërkon, nuk do ta kisha problem t’i gjuaja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"