Me Bylisin shkruhet historia, Egnatia i ka idetë e qarta në Superiore dhe Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 19:07

Me Bylisin shkruhet historia, Egnatia i ka idetë e qarta në Superiore dhe Kupë

Asnjë përballje në Kategorinë Superiore mes Bylisit dhe Egnatias. E radhës të shtunën në Ballsh në orën 15:00 është një duel historik mes dy skuadrave, që në këtë fillim sezoni kanë arritur rezultate interesante.

EGNATIA 2 (1)

Statistikat tregojnë se nuk ka pasur asnjë përballje edhe në Kategorinë e Parë mes dy ekipeve, pasi kur kanë qenë në të njëjtin sezon bashkë, u ka takuar të luajnë në grupe të ndryshme. Vetëm në Kategorinë e Dytë sfidat mes tyre kanë qenë më të shpeshta, sikurse edhe disa miqësore, në të cilat Egnatia ia ka dalë të ketë bilanc më të mirë ndaj ballshiotëve. Ndeshja e fundit mes tyre ka qenë më 25.08.2021, pikërisht një miqësore kur rrogozhinasit kanë fituar 3-2.

KAMPIONATI – Me vrullin e dy ndeshjeve të fundit, Egnatia e ka hedhur tashmë dorashkën. Kërkon të mos ndalet dhe ta përdorë transfertën me ballshiotët për të rikonfirmuar suksesin e saj të radhës. Drejtuesit e Egnatias duan ta përgatisin në qetësi të plotë këtë takim, teksa kanë vendosur heshtje për shtyp, ndërsa vetëm një ditë para ndeshjes do të prononcohet trajneri ose drejtori sportiv.

Egnatia i ka ndezur mirë “motorët” dhe vjen tashmë pas dy fitoreve radhazi ndaj ekipeve që kanë synime të mëdha si Laçi dhe Vllaznia. Veçanërisht triumfi i fundit me shkodranët ka shtuar edhe më tepër moralin te rrogozhinasit. Për skuadrën e Edlir Tetovës, gjithashtu synimet këtë sezon janë të qarta, pasi klubi ka ambicie për të tentuar Kupat e Europës. Këtë e ka shprehur edhe publikisht drejtori sportiv, Ndriçim Shtubina.

KUPA – Parashikohet pak a shumë një rrugëtim si ai i edicionit të shkuar ku rrogozhinasit, pasi kapërcyen fillimisht Turbinën 1-1 e 1-0, në turin e dytë arritën të sfidojnë Kukësin, me të cilin fituan 3-1në Peqin ndeshjen e parë dhe humbën të dytën në Vlorë 0-1. Me Laçin në turin çerekfinal, ku rrogozhinasit vjet ishin përherë të parë, të dyja ndeshjet u mbyllën me barazimet 1-1 në Rrogozhinë e 0-0 në Laç. Vetëm nga rezultati 2-3 i penalltive, Egnatia u eliminua.

Këtë edicion rruga duket disi më e thjeshtë. Egnatia do të ketë fillimisht punë me fqinjët peqinas të Shkumbinit, akoma të paorganizuar si duhet, por që luajnë tani dy kategori më poshtë se Egnatia. Më pas do të kenë punë me fituesen e çiftit Skëndërbeu-Maliqi, të cilat nuk bëjnë pjesë asnjëra në elitë, por korçarët në të parën dhe Maliqi në të dytën. Në bazë të skemës dhe kualifikimit të mundshëm në dy turet e para, në çerekfinale, Egnatia ashtu si vjet, mund të rigjente Laçin.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"