“Më bëhet qejfi që Shqipëria dhe Serbia u kualifikuan në Europian”, Gvozdenoviç: Skënderbeu vetëm për fitore me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2023 | 10:41

“Më bëhet qejfi që Shqipëria dhe Serbia u kualifikuan në Europian”, Gvozdenoviç: Skënderbeu vetëm për fitore me Teutën

Skënderbeu-Teuta, që do të zhvillohet sot në orën 17:00 në stadiumin e Korçës, nuk është thjesht një ndeshje e zakonshme radhe. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, i cili nuk sheh rezultat tjetër, veç fitores në këtë përballje.

gvozdenovic

Kreu i pankinës korçare paralajmëroi ndryshime në formacion, duke luajtur për herë të parë me tre sulmues që nga fillimi, Nikaj-Rashica-Frenkli. I pyetur për përballjen e mundshme mes Shqipërisë dhe Serbisë në një grup në Europianin e Gjermanisë, Gvozdenoviç dribloi, duke theksuar vetëm se i bëhet qejfi që të dyja Kombëtaret janë kualifikuar.

Ivan, së pari si është përjetuar në skuadër tragjedia e Duamenës?

Pas tragjedisë me Duamenën, ne nuk kemi menduar fare për futbollin. Ishim tre ditë pushim, pasi në ato momente askush nuk mund të kishte mendjen për futbollin. Ishim të prekur dhe të rënduar psikologjikisht, pasi bëhej fjalë për një koleg që humbi jetën në mënyrë tragjike.

A mendon se do të ketë ngarkesë psikologjike në ekip ky fakt?

Kemi qenë të rënduar psikologjikisht dhe mendoj se jemi ende pak në momentin që do të zbresim në fushë. Do të mundohemi të menaxhojmë mirë një gjë të tillë. Tragjedia është e madhe, por jeta vazhdon.

A ju ka ndihmuar të rikuperoni disa lojtarë kjo periudhë pauze?

Do të duhet të shohim nëse vërtet ja kemi dalë të rikuperojmë Shaqen. Pozitive ishte që kavilja e lojtarit është OK, por ka shumë pak seanca të zhvilluara me grupin. Do të shohim në ditën e fundit sesi do të jetë lojtari, e më pas do të vendosim për aktivizimin ose jo.

Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?

Ne kemi punuar mjaft mirë, sidomos gjatë javës së fundit. Jemi gati për të bërë më të mirën tonë në këtë ndeshje. Do të jetë një sfidë e fortë, por do të hyjmë në fushë vetëm për të marrë tre pikët. Është maksimumi që ne duhet të bëjmë në këtë ndeshje.

Mund të ketë ndryshime në rreshtim ndaj Teutës?

Është e mundur edhe diçka e tillë. Mund të kemi zëvendësime kokë për kokë për Shaqen dhe Uçen, pasi Zenullari dhe Frenkli janë gati, por mund të ndryshojmë edhe rreshtimin. Do të jetë diçka që do ta vendos në momentet e fundit.

Me Frenklin titullar, do të shohim një Skënderbe me 3 sulmues?

Po në fakt një gjë të tillë mendojmë, pasi duhet të jemi një ekip agresiv dhe me shumë forca sulmuese. Do të mendojmë të kemi balancë në dy fazat e lojës dhe të arrijmë tek rezultati maksimal. Duhet të bëjmë më të mirën për të marrë pikët maksimale.

Diferenca e vogël e pikëve me Teutën ju mban nën presion?

Patjetër, të gjithë kanë presion, sepse diferenca është shumë e ngushtë. Jemi gati që të përballojmë presionin.

Në fund një koment për Shqipërinë dhe Serbinë, që u kualifikuan në Europianin 2024. Do të doje të ishin në një grup?

Unë e shoh larg Gjermaninë dhe jam i përqendruar vetëm tek ndeshja me Teutën. Do të vijë koha që do të mendojmë edhe për kampionatin Europian, kur të jetë mbyllur sezoni i Superiores. Të them të drejtën, më vjen mirë dhe jam shumë i lumtur që, si Shqipëria dhe Serbia, janë të kualifikuara.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"