Mbrojtje e “arnuar”, Mërgjyshi nuk e sheh veten të rrezikuar: Tentojmë fitoren me Devollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 10:11

Mbrojtje e “arnuar”, Mërgjyshi nuk e sheh veten të rrezikuar: Tentojmë fitoren me Devollin

Para  ndeshjes Devolli-Apolonia, e vlefshme për javën e parafundit të fazës së parë, trajneri Artan Mërgjyshi ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

mergjyshi

Ai skanon përmbledhtazi ecurinë e ekipit të tij, zhgënjimin, pritshmëritë dhe marrëdhëniet me klubin në lidhje me vazhdimësinë e pozicionit të tij.

Mërgjyshi, si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Apolonisë?

Kishim pritshmëri më të mëdha. Nuk jemi atje ku duhet, sepse nuk kemi pasur raport të drejtë mes lojës dhe pikëve, sidomos këto ndeshjet e fundit. Ekipi është rritur në lojë, por pa marrë atë që meritonim më tepër për gabimet tona, por edhe për ndonjë pasaktësi arbitrimi apo nga mungesat. Jo për justifikim, por kanë qenë më shumë sesa duhet në një situatë normale.

Vetëm 2 pikë në 3 javët e fundit dhe me përjashtim të ndeshjes me Turbinën, Apolonia nuk shënon më shumë se 1 gol…

Konstatimi i duhur. Është pikërisht kjo gjë që po na shqetëson. Në dy ndeshjet e fundit kemi krijuar shumë, por nuk kemi arritur të shënojmë. Një ngërç kryesisht psikologjik, që nuk po e kalojmë dot. Edhe pse kemi lojtarë me cilësi të mira, si Gjata, Branica, Mihana e Hysenshahaj, të cilët nuk po arrijnë ta zgjidhin çështjen e golit. Gjithsesi, ky është futbolli, pavarësisht se kemi marrë pak dhe nuk kemi ritmin e duhur, shpresojmë të rikuperojmë. Në një kampionat të gjatë e të vështirë, nuk mund të ecim ndryshe.

A po e justifikojnë veten lojtarët e ardhur në merkaton verore?

Mendoj se nuk është momenti për të bërë një analizë të tillë. Nuk kam pse ankohem për askënd që ka ardhur. E kam thënë edhe në fillim të kampionatit se nuk do “rrahim gjoksin” si ekipi dominues, por si ekip konkurrues në një kampionat jo pak të vështirë. Kjo nuk do të thotë që nuk kam lojtarët e duhur, por mund të kishim bërë diçka më mirë në organikë për mbrojtjen. Ju e shihni që në këtë repart jemi “arnuar”, duke u detyruar shpesh të modifikojmë edhe sistemin e lojës. Kemi aktivizuar lojtarë të mesfushës, jo mbrojtës të mirëfilltë. Duhet të ishim më mirë, por mbetemi në lojë e do përpiqemi për objektivat tanë.

Transferta e radhës me Devollin e vendit të dytë. A duhet pritur kthesa reale e Apolonisë?

Me respekt maksimal për Devollin, një skuadër që me meritë ndodhet në kreun e tabelës. Do të provojmë shanset tona, pavarësisht se ku luhet. Duhet të bëjmë të njëjtën mënyrë loje dhe do të shkojmë për të marrë 3 pikët. Na duhet edhe pak fat, që na ka munguar në jo pak raste. Ajo që duhet të bëjmë është vlerësimi maksimal për Devollin, pa harruar që duhet të respektojmë aftësitë që kemi për ta fituar këtë ndeshje.

Në rast të një dështimi ndaj bilishtarëve, a ndiheni i rrezikuar?

As e kam menduar dhe as dua ta mendoj atë situatë, edhe pse në këtë sport gjithçka ndodh. Për transparencë, ju them se kam punuar i qetë deri tani. E di si funksionon klubi i Apolonisë, sepse kam edhe një përvojë të mëparshme. Kurrë nuk kam hasur trysni nga drejtuesit, përkundrazi, kam pasur mbështetje maksimale. Po punojmë seriozisht dhe në raste të tilla nuk humbet niveli i besimit. Në futboll asnjëherë nuk i dihet. E ritheksoj, kam mbështetjen e klubit.

Nëse vijon mungesa e rezultateve, a mund të ketë një “lodhje nervash” të vetë Mërgjyshit për të thënë “mjaft me këtë skuadër”!?

Jam i lodhur pas çdo seance stërvitore, pas çdo dite, pas çdo rezultati, fitoreje apo humbjeje. Nuk jam njeri që e lë “betejën” në mes. Shpresoj të mos vazhdojmë me rezultate negative. Jemi grup, funksionojmë të gjithë bashkë, nuk tërhiqemi kurrë nga “llogorja”. Mund të humbasim një “betejë”, por duam të fitojmë “luftën”.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"