Mbrojtësi i krutanëve është i sigurt: E keqja e Kastriotit kaloi, në Korçë për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2021 | 23:46

Mbrojtësi i krutanëve është i sigurt: E keqja e Kastriotit kaloi, në Korçë për vazhdimësinë

Armando Rami është njëri prej lojtarëve kryesorë të Kastriotit. Mbrojtësi i majtë numëron sezonin e katërt në Krujë, duke u bërë lojtari kyç prej disa vitesh. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, Rami flet për situatën aktuale, ndeshjen e radhës dhe vazhdimësinë.

rami

“Vijojmë të jemi sërish në fund të tabelës pavarësisht fitores së fundit. Normalisht ishte një fitore e rëndësishme, e cila na riktheu sërish në lojë dhe na solli tjetër atmosferë në skuadër, por për të lënë fundin duhet vazhdimësi. Këtë fundjavë na pret një ndeshje tejet e vështirë ndaj Skënderbeut.

Kjo ndeshje ka shkallën e vështirësisë së saj pasi kundërshtari në fushën e vet u ka hapur probleme shumë ekipeve, ndaj duhet kujdes. Megjithatë, unë besoj se pavarësisht shkallës së vështirësisë, Kastrioti i ka të gjitha shanset për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo transfertë”, u shpreh fillimisht Rami.

I pyetur se çfarë i duhet Kastriotit për të pasur vazhdimësi, mbrojtësi u shpreh: “Normalisht për të pasur vazhdimësi, krahas lojërave të mira, duhet dhe pak fat. Ne deri më tani kemi zhvilluar realisht ndeshje të mira, me volum dhe raste, por kemi qenë të pafat. Shpresoj që të keqen tashmë ta kemi lënë pas dhe të shohim vetëm përpara”. Në fund 24-vjeçari flet edhe për objektivat e skuadrës dhe ata personalë: “Objektivat e skuadrës dihen, ndaj dhe objektivi im lidhet pak a shumë me ekipin, pasi nëse ne zhvillojmë një sezon të mirë, qëndrojmë në elitë. Ndaj, shpresoj që të bëj më të mirën këtë sezon për të ndihmuar si fillim ekipin e pastaj edhe veten”.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"