Mbrojtësi i Besës nuk fshihet, Perja: Tifozët s’na falin më, kemi gabuar sa për gjithë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 19:04

Mbrojtësi i Besës nuk fshihet, Perja: Tifozët s’na falin më, kemi gabuar sa për gjithë sezonin

Më shumë se kushdo, janë kavajasit ata që po e vuajnë më shumë minikrizën që po kalon Besa. Dhe kjo, për një shkak të qartë, pasi u duhet që të përballen me bashkëqytetarët pas çdo rezultati zhgënjyes.

bubeqi besa

I këtij mendimi është edhe Skerdian Perja, që u ka qëndruar kurdoherë besnik verdhezinjve. “Pa dashur të keqkuptohem, ne kavajasit ndihemi më në siklet sa herë Besa nuk ecën mirë. Nëse jabanxhinjtë ikin në qytetet e tyre, ne nuk kemi ku shkojmë dhe ballafaqohemi në rrugë me bashkëqytetarët me të cilët jemi rritur. Kjo na e bën më të rëndë.

Këto dy javë jam ndeshur me shumë pyetje e kritika miqësore në rrugë, kafe e kudo. E di se tifozët tanë janë më tolerantë sesa duhet, por jemi ne futbollistët që nuk na lë sedra të qetë kur s’kemi motiv dhe arsye shfajësimi para tyre. E megjithatë, edhe tifozët do na bënin dalje në se çojmë ndër mend qoftë edhe barazimin me Maliqin. Kemi gabuar këto dy javë sa për tërë sezonin.

Janë 5 pikë që nuk mund të rikuperohen kur të duam ne, pasi dje kundërshtarët duan të njëjtën gjë. Gjatë këtyre dy javëve kemi shoshitur gjatë atë çfarë ndodhi me Apoloninë dhe Shkumbinin dhe jemi koshientë se duhet kthesa. Jo se fitorja na shpëton, por të paktën minimizon disi kritikat. Asnjë kundërshtar nuk mundet të na mposhtë nëse ne jemi vetvetja dhe bëjmë atë që dimë më mirë në fushë. Çdo gabim yni ka ardhur prej nesh dhe jo për meritë të kundërshtarit”, përfundoi mbrojtësi për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"