Maliqi kërkon falje për kartonin e kuq: Ja objektivi i Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2021 | 20:05

Maliqi kërkon falje për kartonin e kuq: Ja objektivi i Dinamos

Mbrojtësi i Dinamos, Edis Maliqi, e humbi ndeshjen e radhës, pas kartonit të kuq të marrë në fundin dramatik të fitores me Kastriotin. Lojtari që ka fituar besimin e trajnerit Shkëmbi për të luajtur nga minuta e parë, bëri një ndërhyrje që arbitri Meta fillimisht e konsideroi penallti dhe më pas VAR-i e shndërroi në goditje dënimi dhe direkt karton të kuq për Maliqin.

enis maliqi

 

Një rast që duket si gjysma e së keqes, sepse penalltia mund t’i hiqte dy pikë Dinamos, duke i dhënë një goditje të fortë psikologjike. Tashmë Maliqi është çliruar pas ndërhyrjes së VAR-it, sepse për të do të ishte penalltia e dytë radhazi e shkaktuar pas asaj me Egnatian.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i krahut të djathtë tregon për episodin në fjalë dhe jep mendimin për Dinamon aktuale.

PENALLTIA – “Në momentet e fundit m’u duk një vendim i përshpejtuar nga ana e arbitrit. Isha pak i habitur, jo vetëm unë, por të gjithë që ishim afër, sepse e pamë që ndërhyrja ka qenë jashtë zonës. Më vjen keq për kartonin e kuq, sigurisht, por tani më e rëndësishme është fitorja e skuadrës. Këto janë dy ndeshjet e para për mua pas shumë kohësh jashtë. Nuk i shikoj me shumë negativitet, sepse për fat të keq edhe momentet kur kam bërë ndërhyrjet e penalltive, nuk kam pasur fat apo opsione për reagim”, ka thënë fillimisht Maliqi për gazetën.

RENDITJA – Më pas, 26- vjeçari flet për ecurinë e skuadrës. “Ndoshta kemi merituar më shumë pikë sesa kemi për momentin në tabelën e renditjes, por akoma ka ndeshje për t’u luajtur dhe kemi kohë të rikuperojmë. Më vjen mirë që po bëjmë progres në aspektin e lojës. Nuk mendoj se kemi probleme të mëdha, pasi fakti që në çdo ndeshje krijojmë shumë raste për gol, tregon se jemi në rritje si ekip. Jemi skuadër e re, kemi 4 muaj që jemi bashkë dhe duhet te kemi më shumë durim. Mendoj që Dinamos i duhet kohë dhe besim, kështu do të vijnë edhe rezultatet pozitive”, deklaroi shqiptari nga Maqedonia e Veriut.

RIVALITETI – “Kampionati shqiptar në vitet e fundit kështu ka qenë, ku skuadrat janë pothuajse njëjtë me kualitet dhe me pikë. Dinamo pas shumë kohësh është kthyer në Superligë dhe ne kemi së pari si objektiv të bëjmë maksimumin, pastaj çdo arritje për ne është sukses”, shprehet futbollisti i bluve për konkurrencën e fortë në Superiore.

E ARDHMJA – “E vërteta është se jam lojtari i fundit që jam bashkuar me skuadrën në merkaton e verës. Jam bërë pjesë e një grupi të mrekullueshëm, me shumë pozitivitet. Të gjithë më kanë ndihmuar që të përshtatem shpejt. Kemi një raport jashtëzakonisht të mirë me klubin dhe stafin. Dinamo ka organizimin e duhur për të krijuar një atmosferë, ku çdo lojtar mundet të bëjë progres.

Kam shumë besim që në të ardhmen do të kemi sukses dhe do t’i arrijmë objektivat tona”, përfundon mbrojtësi Maliqi, i cili më parë ka luajtur te Kukësi, por ka pasur edhe një aventurë të shkurtër në Kroaci me Lokomotiv Zagreb.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"