Magani: Bylisi është ekipi për t’u mundur, boll gabuam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 11:50

Magani: Bylisi është ekipi për t’u mundur, boll gabuam

Gugash Magani pret fitoren në Ballsh. E di që do të jetë e vështirë, por ndalon gabimet dhe sidomos ato individuale. Përtej mungesave, ai mendon se nuk ka vend për justifikim.

magani

Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, trajneri theksoi: “Bylisi është skuadra për t’u mundur. Në 7 javë kampionat ka humbur vetëm dy pikë dhe kanë një grup me eksperiencë në përbërje. Megjithatë, edhe ne kemi objektiva. Do të shkojmë në Ballsh për të treguar vlerat tona më të mira. Futbolli ka tri rezultate.

Ne do të futemi në fushë për të marrë fitoren, ndonëse e parashikojmë të vështirë. Kampionati është shumë i fortë në krahasim me vitet e tjera. Mbetet për t’u parë se çfarë do të japim në fushën e lojës. Mungesa e Cankës do të na e bëjë më të vështirë.

Ka 2-3 javë pasi dëmtimi që ka është shumë serioz. Presim nga dita në ditë që të kryejë ndërhyrje kirurgjikale. Është kapiteni i skuadrës dhe një lojtar me shumë peshë, sepse ka dhe shumë personalitet. Probleme ka edhe sulmuesin tjetër, Xhejms.

Nuk është stërvitur mirë gjatë javës. Ka një dëmtim. Shpresojmë ta rikuperojmë deri të dielën. Por, mendoj që mund ta fillojë edhe nga stoli. Kemi Preknicajn sidoqoftë, që tregoi një formë shumë të mirë në Kupë dhe shënoi dy gola. Në përgjithësi, skuadra është në kondicion të mirë, përtej shqetësimeve që përmenda. Por mendoj, që skuadra i ka të gjitha kapacitetet që edhe nëse mungon ndonjë të futet lojtari tjetër, sepse nuk kemi shumë diferenca. Ky është avantazhi”.

Ka mungesa, por edhe rikthime. Paolo Kasmollari ka ezauruar pezullimin dhe Endrien Magani kaloi dëmtimin. Tekniku u mëshon ndjeshëm gabimet individuale, që jo pak herë e kanë penalizuar ekipin.

“Pas ndeshjes me Luzin deklarova, se tani fillon kampionati për ne. Deri tani kemi bërë shumë gabime, por tani nuk pranohet më. Edhe pse futbolli është i paparashikueshëm, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm. Ne kemi objektiva si të gjithë skuadrat e tjera.

Tashmë i kemi shpalosur. Dhe që të kapim, duhet patjetër të mos përsërisim gabime. Përtej meritës së kundërshtarit, në disa takime e kemi pësuar nga gabimet individuale. Mendoj që nuk do të përsëriten më, sepse edhe skuadra ka dhe një farë përshtatjeje tani. Futbollistët njihen më mirë me njëritjetrin”, përfundoi trajneri i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"