“Luzi gjithnjë ka besuar vetëm te loja dhe mundi i vet”, Mandela: Pa kompromis deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 21:11

“Luzi gjithnjë ka besuar vetëm te loja dhe mundi i vet”, Mandela: Pa kompromis deri në fund

Humbja minimale në Fushë Krujë kundër Kastriotit nuk e ka zbehur aspak besimin dhe optimizmin te Luzi. Trajneri Nertil Ferraj, pas kësaj humbje pati mjaft rezerva për gjykimin. Tashmë gjithçka ka kaluar dhe në 5 javët e mbetura Luzi nuk ka ndërmend të dorëzohet, por të luftojë deri në fund me ndershmëri e besim.

LUZI MANDELA

Sulmuesi Itodo Mandela, në prag të sfidës me Lushnjën, për “Panorama Sport” u shpreh: “Janë edhe 15 pikë për t’u fituar, kështu që asgjë nuk ka mbaruar. U mundëm nga Kastrioti, por nisur nga loja që zhvilluam e rastet që patëm nuk e meritonim kurrsesi humbjen. Luzi gjithnjë ka besuar vetëm te loja dhe mundi i vet. Kështu bëmë sezonin e shkuar dhe këtë do bëjmë edhe tani, me ndryshimin se këtë sezon kemi falur e gabuar aq sa nuk lejohet. Në të gjitha ballafaqimet tona me Lushnjën, kurrë nuk kemi merituar humbjen.

Kemi luajtur më mirë se ata dhe thjesht kemi gabuar vetë. Sa i takon kësaj ndeshje, e kemi të qartë se vetëm fitorja na mban në lojë. Në futboll, kurrë nuk i dihet dhe një hap fals i Besës apo Burrelit do të bënte që ne t’i afroheshim të dy ekipeve e gara të hapej fuqishëm. Prandaj duhet të kërkojmë vetëm fitoren deri në javën e fundit”. Luzi nëse fiton me Lushnjën si pritëse dhe në rast të gabimeve të Besës apo Burrelit, ata mbeten përsëri në garë.

 FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"