Lushnja stërvitet pas portave, kryetari i bordit: Është pjesa më e mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 18:30

Lushnja stërvitet pas portave, kryetari i bordit: Është pjesa më e mirë

Investimi që po bëhet në stadiumin “Roza Haxhiu” si kusht nga sektori i licencimeve në FSHF, që impianti lushnjar të plotësojë kriteret e Superiores, ka sjellë një situatë të pazakontë në klubin lushnjar. Skuadra verdhejeshile mund të jetë i vetmi ekip në botën e futbollit që nuk ka një fushë stërvitore në kushte normale.

lushnja

Duke qenë se ambientet e brendshme të stadiumit “Roza Haxhiu” po ristrukturohen dhe terreni i impiantit pret tapetin e ri, skuadra verdhejeshile jo vetëm që nuk ka se ku të stërvitet, por nuk ka dhe ambiente ku të bëhet gati për stërvitje. Nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, Gentian Nushi, që është njëherësh kryetari i bordit të “KF Lushnja 1930 sh.a”, për gazetën “Panorama Sport” shprehet:

“Gjatë fillimit të punimeve në stadium është hequr tapeti ekzistues dhe pjesët më të mira të tij janë vendosur pas dy portave. E bëmë kështu për t’i shërbyer skuadrës. Veç kësaj po shohim edhe ndonjë mundësi tjetër”, është shprehur kryetari Nushi. Ndërkohë që investimi në stadiumin “Roza Haxhiu” vijon me ristrukturimin e ambienteve të brendshme. Është izoluar tarraca e tribunës qendrore, ndërkohë që pritet të kryhen punime edhe në ambientet e jashtme, plotësimi i tribunës me stola, vendet për mediat etj. Nuk ka filluar ende rikonstruksioni i shkallëve dhe i sheshpushimeve ku lëvizin tifozët.

Lushnja 1

“Po kryhet investimi në stadium për të plotësuar kriteret që kërkon Kategoria Superiore. Po punohet dhe së shpejti Lushnja do të ketë një stadium të superiores”, tha Nushi. Drejtuesit e Bashkisë kanë vendosur si objektiv për skuadrën verdhejeshile qëndrimin në Kategorinë Superiore.

“Objektivi i skuadrës është qëndrimi në elitë. Të bëjmë një paraqitje të mirë duke synuar që të mos jemi kalimtarë në Kategorinë Superiore”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, Gentian Nushi.

 

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"