Lushnja OK, e mund Himarën në 17 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 13:05

Lushnja OK, e mund Himarën në 17 minuta

LUSHNJA-HIMARA 2-0
GOLAT: Canka 6′, Galica 17′
LUSHNJA: Spaho, Grizha, H.Koreshi, Sula, Ndoni (Sulo 56′), Dervishi, Koreshi, Çela, Galica, Bizhyti (Metushi 82′), Canka (Allkanjari 82′). Trajner: A.Bano
HIMARA: Bifsha, Mehmeti, Alo, Banushi, Prifti, Kuçi, Hoxha (Gjondeda 64′), Mumajesi, Koço (Xhelili 46′), E.Dervishi (Xhani 88′), Skënderaj. Trajner: R.Nenaj
KARTONË TË VERDHË: Ndoni, Dervishi, Sulo, Bizhyti, Xhani
GJYQTARË: A.Beqiri, D.Rexha, E.Deraj (Tiranë)
VËZHGUES: S.Resmeliu (Elbasan)
DELEGAT: B.Pregja (Tiranë)

Lushnja ka arritur të marrë një fitore të lehtë përballë Himarës në ndeshjen e luajtur në fushën asnjanëse të Kavajës. Që në start, lushnjarët dëshmuan dëshirë dhe ego për të fituar. Të udhëhequr nga “dirigjenti” Gentian Çela, verdhejeshilët e zgjidhën takimin shumë shpejt. Galica dhe Canka realizuan nga një herë brenda 17 minutash lojë. Më pas gjithçka u bë e lehtë. Skuadra e Banos vazhdon të jetë në krye të klasifikimit.
Pjesa e parë Në stadiumin “Besa”, në prezencë vetëm të tifozëve lushnjarë, të cilëve iu bashkuan disa dhjetëra kavajas, startoi sfida Lushnja-Himara. Që në minutat e para verdhejeshilët u hodhën të gjithë në sulm dhe arritën të shënonin shumë shpejt. Në minutën e 6-të, një gabim foshnjarak i qendërmbrojtësit Alo të miqve nxjerr të vetëm Cankën shumë pranë vijës fatale dhe ky i fundit nuk e ka të vështirë të shënojë, 1-0. Pas 11 minutash, një mosmarrëveshje mes portierit himarjot Bifsha dhe një mbrojtësi nxjerr sërish Galicën të vetëm me portën e boshatisur dhe sulmuesi shënon golin e dytë për Lushnjën. Me gjithë aksionet model që verdhejeshilët ndërtuan, ku kapiteni Çela ishte një prej më të mirëve, të dy golat erdhën si rezultat i gabimeve të himarjotëve. Miqtë patën një rast të artë në minutën e 36-të për të rihapur takimin, pasi gjyqtari Beqiri akordoi 11-metërsh. Por Hoxha gabon nga pika e bardhë, pasi pret portieri Spaho.
Pjesa e dytë Nuk pati ndonjë ndryshim thelbësor në krahasim me fraksionin e parë. Lushnjarët janë padronë të fushës dhe realizojnë aksione sulmuese njëri pas tjetrit, ku herë Galica, Metushi apo Byzhyti shpërdoruan raste flagrante. Pothuajse të gjitha aksionet nisnin nga këmbët e kapitenit Çela, i cili në disa raste u spostua si trekuartist duke dhënë asiste ideale për gol shokët e tij. Vetëm pas ndërrimeve të bëra nga Nenaj, miqtë sikur u ngjallën dhe baraspeshuan lojën në mesfushë, por mirëpo vetëm kaq.

Bano i pangopur: Humbasim raste pa fund
Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, përjetoi dje një prej ndeshjeve më të qeta që kur drejton verdhejeshilët. Sulmuesit e tij shënuan dy herë brenda 17 minutave të para. Pas ndeshjes, Bano deklaroi: “Kaluam shpejt në avantazh dhe 45 minutat e para i kontrolluam në të gjitha drejtimet. Gjatë pjesës së dytë, edhe pse patëm epërsi, shpërdoruam shumë raste shënimi. Disa nga lojtarët sikur u vetëkënaqën duke parë avantazhin dhe faktin që Himara nuk ishte në gjendje të na e rrezikonte fitoren. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, ku pa dyshim duhet të fitojmë. E rëndësishme është që të ruajmë vendin e parë”.

Nenaj: Ndeshja me Partizanin na sfiliti
Trajneri i Himarës, Roland Nenaj, besoi deri në fund se mund të shkëpuste qoftë edhe një pikë në ndeshjen ndaj Lushnjës që u zhvillua në fushën asnjanëse të Besës. Por, në fund u detyrua të pranojë se lojtarët e tij ishin të lodhur fizikisht pas sfidës së mesjavës me Partizanin. “Lushnja ishte e vendosur mirë në fushë dhe dëshmoi se ndodhet në krye me meritë. Sigurisht, lojtarët e mi u shfaqën disi të lodhur fizikisht pas asaj maratone ndaj Partizanit të mërkurën. Pësuam shpejt dy gola për gabimet tona amatoreske dhe humbja e 11-metërshit ndikoi negativisht”, – tha Nenaj.
FERIZ FERIZAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"