Lushnja i bën ofertë Kajës, mendon edhe për Nakon. Zbehet “pista” Hyshmeri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2017 | 12:56

Lushnja i bën ofertë Kajës, mendon edhe për Nakon. Zbehet “pista” Hyshmeri

Pas miqësores së luajtur në “Via del Mare” me Leçen, ekipi dje në mbrëmje është kthyer në qytet. Pas udhëtimit me autobus drejt Barit, ata kanë marrë sërish tragetin e linjës Bari-Durrës për t’u kthyer në Shqipëri. Në këtë ndeshje testuese, ku skuadra verdhejeshile u mposht me shifrat e thella 4-0, u shoqërua nga nënkryetari i bashkisë, Gentian Nushi, njëherësh kryetar i Bordit Mbikëqyrës të “KF Lushnja 1930” sh.a.

lushnja

Lushnjarët janë prezantuar në këtë miqësore me fanellat e sponsorizuara nga një kompani. Pavarësisht mbishkrimit në uniforma, ekipi vijon të jetë nën juridiksionin e plotë të Bashkisë dhe pa pronarë të rinj. Tashmë që punimet në fushën e stadiumit kanë përparuar, pritet që verdhejeshilët të vijojnë fazën përgatitore në qytetin e Pogradecit. Atje pritet që ekipi të zhvillojë të tjera ndeshje miqësore, që do i shërbejnë Artan Banos për të krijuar një ide më të qartë për organikën e sezonit të ri.

Për sa i përket merkatos, Orgest Gava mbetet prurja e fundit. Ndërkohë, mësohet se klubi i ka bërë një ofertë mbrojtësit kavajas, Ervis Kaja, i cili ka shumë eksperiencë në Superiore. Lushnja kishte në plan edhe mesfushorin tjetër elbasanas, Renato Hyshmerin, por lajmet për ardhjen e mesfushorit janë zbehur ndjeshëm. Gjithsesi, klubi lushnjar mbetet në kontakte edhe për disa afrime të tjera, ku është përfolur edhe Rudin Nako. Në vazhdim priten zhvillime për mbrojtësin fierak.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"