Lushnja gati për elitën, Koreshi: Jemi po ajo skuadër, por me përforcime të rëndësishme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 14:30

Lushnja gati për elitën, Koreshi: Jemi po ajo skuadër, por me përforcime të rëndësishme

Lushnjarët vijojnë seancat stërvitore në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe, gjatë kësaj jave, janë zyrtarizuar firmat me disa lojtarë që kanë rinovuar për sezonin e ardhshëm. Lushnja do të vijojë të jetë në varësi të plotë të Bashkisë duke rivendosur bashkëpunimin përmes kontratave sezonale.

lushnja

Kanë firmosur pothuajse lojtarët kryesorë që mbyllën sezonin e shkuar, gjithashtu tre lojtarë të afruar gjatë kësaj vere, portieri Bejte, mbrojtësi Bitri dhe sulmuesi Pepa. Te Lushnja janë afruar edhe fieraku Meto dhe vlonjatët Qejvani dhe L.Shehaj. Skuadra po zhvillon seancat e fundit në fushën e stadiumit, në pritje për të vijuar me fazën përgatitore në kushte grumbullimi, pasi nga momenti në moment pritet të nisë investimi i ndërrimit të tapetit.

lushnja

KORESHI

Një nga lojtarët më me eksperiencë te Lushnja në Kategorinë Superiore, mesfushori Erlind Koreshi, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” u shpreh:

“Po përgatitemi për sezonin dhe kemi tri javë që stërvitemi. Jemi po ajo skuadër me disa afrime të rëndësishme. Ekipi është i motivuar për të bërë më të mirën në këto seanca stërvitore. Superiorja është e njohur për të gjithë lojtarët e Lushnjës dhe e rëndësishme është të përgatitemi mirë për kampionatin.

Lushnja ka entuziazëm, ka dëshirë, ka shumë tifozë dhe besim se do të bëjmë një paraqitje të mirë”, tha Koreshi. Mesfushori 30-vjeçar, veç Lushnjës, ka luajtur në Superiore edhe për Shkumbinin, Elbasanin, Bylisin, Tiranën dhe Teutën.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"