Lojë nervash, Shkëmbi ia “kalon” presionin Tiranës. Asgjë serioze për dëmtimet e Osmanit dhe Avdylit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 17:04

Lojë nervash, Shkëmbi ia “kalon” presionin Tiranës. Asgjë serioze për dëmtimet e Osmanit dhe Avdylit

Dëmtimi që Tefik Osmani pësoi një ditë më parë duket se nuk ka qenë serioz dhe si kapiteni ashtu edhe mesfushori Florent Avdyli, punuan normalisht me grupin. Përpara se të fillonte stërvitja, trajneri Shkëmbi mbajti një fjalim të shkurtër përpara skuadrës, duke i folur për pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit.

“Dua të zhvilloni një futboll tërheqës, presioni nuk është te ne, por te kundërshtari, pasi e kanë humbur ndeshjen e parë. Ata do të luajnë me këtë formacion dhe duhet të kemi kujdes nga krahët, por edhe nga individë të veçantë. Do futemi në fushë për ta fituar ndeshjen dhe kjo arrihet duke qenë të qetë”, u tha Shkëmbi futbollistëve. Sot stafi teknik do t’i studiojë edhe me video veprimet e kundërshtarit për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen.

shkembi teutaa

STATISTIKAT

Pas një viti mungesë, Tirana rikthehet në Superiore dhe në ndeshjen e dytë do të përballet në shtëpi me Teutën, një kundërshtar tepër i fortë që gjithmonë i ka hapur probleme. Në vitet e fundit përballjet mes tyre kanë qenë tepër të luftuara, por me bardheblutë që kanë arritur më tepër rezultate pozitive. Në 10 ndeshjet e fundit zhvilluar në kryeqytet me 24 herë kampionët si pritës, bardheblutë kanë fituar 4 ndeshje, 4 i kanë barazuar dhe dy të tjera i kanë humbur. Teuta e Shkëmbit në takimin e të premtes ka për të thyer një tabu, bregdetarët kanë plot 7 vite që nuk fitojnë në kryeqytet.

Fitorja e fundit është regjistruar në 12 shtator të vitit 2011, me golin e shënuar nga mbrojtësi boshnjak, Vladimir Markoviç. Në atë kohë bregdetarët që drejtoheshin nga trajneri Hasan Lika ishin pretendentë për titull, ndërsa e humbën kampionatin vetëm dy ndeshje përpara fundit të Superiores. Nga sezoni 2011- 2012, i cili ishte më i suksesshmi në dekadën e fundit, “djemtë e detit” kanë bërë investime të mëdha, por nuk kanë arritur te titulli. Maksimumi ishte pjesëmarrja në Europa League, para dy sezonesh (2015-2016).

Në këtë fushatë objektivat kanë ndryshuar, me drejtuesit që kanë ndërtuar një ekip dinjitoz për t’u përballur denjësisht me çdo kundërshtar në Superiore. Si Teuta ashtu edhe Tirana kanë ambicie të mëdha dhe kjo ndeshje do të tregojë shumë për vijimësinë që do të kenë në këtë kampionat. Interesant është fakti se të dyja skuadrat lojtarin më të vjetër në ekip kanë portierin: Tirana ka Ilion Likën 38 vjeç dhe Teuta tiransin Isli Hidi 37 vjeç (mbush 38 në 15 tetor). Si Shkëmbi ashtu edhe Ze Maria presin që në këtë takim të zhbllokohet sulmi, pasi nuk arritën të gjenin rrjetën në takimin hapës.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"