Llogaritë e Skënderbeut, 9 pikë në 3 ndeshje për vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 20:39

Llogaritë e Skënderbeut, 9 pikë në 3 ndeshje për vendin e katërt

Skënderbeu duket se e ka kthyer në një objektiv real të qenit në 4 ekipet e para të këtij kampionati, që do të thotë pjesëmarrje në “Final Four”. Qartazi ndeshjet e fundit, sidomos ajo ndaj Tiranës, kanë zgjuar ambiciet e bardhekuqve për të ngjitur të paktën një shkallë në klasifikim. Synimet e Skënderbeut vërtetohen edhe nga fakti që presidenti Takaj dhe drejtuesit e klubit kanë kërkuar nga ekipi maksimumin në 3 ndeshjet e radhës.

skenderbeu

Burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se presidenti Takaj u ka thënë lojtarëve menjëherë pas ndeshjes me Tiranën se vendi i katërt në kampionat është mëse i arritshëm. Ai ka theksuar se do të ishte diçka shumë pozitive për skuadrën, nëse e arrin këtë objektiv. Në këtë situatë, “kushti” është që në 270 minutat e radhës të grumbullohen 9 pikët e mundshme. Bëhet fjalë për ndeshjet në shtëpi me Teutën dhe Kukësin, si dhe për transfertën ndaj Erzenit. Janë tre kundërshtarë të kalueshëm, edhe pse të vështirë. Skënderbeu do të luftojë për të marrë më të mirë dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të bëhen të tjera llogaritë për tri javët e fundit të kampionatit. Prilli pritet të jetë kështu muaji i së vërtetës për korçarët, nëse “Final Four” është diçka reale apo thjesht një dëshirë e klubit që do të mbetet në sirtar.

TEUTA – Pavarësisht situatës dhe kërkesave që kanë ardhur në rritje në këtë fund sezoni, në kampin bardhekuq janë totalisht të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Teutës në shtëpi. Trajneri Ivan Gvozdenoviç e do me çdo kusht të fituar këtë ndeshje. Këtë fakt ai ua ka bërë të qartë lojtarëve.

“Pas një ndeshjeje të mirë ndaj Tiranës është koha që të kthehemi te pikët e plota. Këtë duhet të bëjmë në ndeshjen ndaj Teutës. Është nga ato ndeshje që ka shumë rëndësi për objektivin e vendit të katërt në kampionat, që po kërkohet me shumë insistim nga të gjithë ne. Duhet ta nisim mirë me Teutën dhe të vijojmë më pas ndeshje pas ndeshjeje. Kemi mundësi të marrim maksimumin, pasi treguam se kemi një skuadër që mund të ecë shumë lart dhe nuk dorëzohet kurë. Ndaj dua nga ju ndeshjen më të mirë këtë fundjavë ndaj Teutës për të mbyllur me tri pikë. Përqendrim dhe disiplinë është ajo që kërkoj në fushë dhe mbi të gjitha mos harroni se jemi Skënderbeu dhe jemi të destinuar të fitojmë”, u ka thënë lojtarëve veç të tjerash trajneri bardhekuq. Në takimin përballë Teutës korçarëve u mungon një lojtar shumë i rëndësishëm në mesin e fushës siç është Mario Rabiu. Kthehet nga pezullimi Kosta Vangjeli.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"