Liga e Konferencës/ Rrugëtimi për tri klubet shqiptare, ja kundërshtarët e mundshëm të Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2021 | 20:14

Liga e Konferencës/ Rrugëtimi për tri klubet shqiptare, ja kundërshtarët e mundshëm të Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë

Krahas Teutës që do të marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Kampionëve, për Partizanin, Laçin dhe Vllazninë këtë edicion do të ketë për herë të parë përfaqësim në kompeticionin më të ri të UEFA-s, Liga e Konferencës.

Europa-Conference-League-1

Tri ekipet e Superiores do ta nisin nga turi i parë, teksa ndeshjet do të luhen në datat 8 dhe 15 korrik. Liga e Konferencës është një kompeticion europian për klube që zhvillohet brenda një sezoni. Ky do të jetë kompeticioni i tretë i UEFA-s pas Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës.

Tri klube shqiptare merrnin pjesë çdo vit në Ligën e Europës, por tashmë me krijimin e Ligës së Konferencës, janë spostuar pikërisht te kompeticioni më i ri.

TURI I PARË DHE SHORTI MË 15 QERSHOR

Në turin e parë të Ligës së Konferencës marrin pjesë 24 fitueset e Kupës për federatat që renditen nga vendi 32-55 në UEFA. 25 vendet e dyta të federatave që renditen nga vendi i 30-55 (përjashtuar Lihtenshtejnin). 21 vendet e treta të federatave që renditen nga vendi 29-50 (përjashtuar Lihtenshtejni). Më 15 qershor do të hidhet shorti në Nion të Zvicrës, ndërsa 68 skuadra që marrin pjesë në këtë tur, janë ndarë në dy vazo në bazë të koeficientit që kanë për pjesëmarrjen e deritanishme në kompeticionet e UEFA-s.

34 klube janë në vazon e favoriteve, ndërsa 34 të tjera në vazon e jofavoriteve, kjo për shkak të koeficientit më të vogël. Partizani dhe Laçi, që në dekadën e fundit kanë marrë pjesë sistematikisht në Ligën e Europës, me të kuqtë që kanë qenë edhe dy herë në Ligën e Kampioneve, janë vendosur në grupin e skuadrave që konsiderohen të avantazhuara.

“Demat” kanë një koeficient 4.250, ndërsa kurbinasit 4.000. Klubet që mund të kenë rivale, në ndryshim nga vitet e kaluara në Ligën e Europës, janë ndër më modestet e kampionateve, që janë ndoshta me një nivel më të dobët se Superiorja.

Bëhet fjalë për ekipe nga Moldavia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Malta, Andorra etj. Bie në sy fakti se Partizani dhe Laçi mund të “peshkojnë” në këtë tur të parë edhe Llapin e Podujevës, që fitoi Kupën e Kosovës. Gjithashtu, kanë shanse të luajnë edhe me debutuesit e Strugës. Vllaznia do të rikthehet të luajë në arenën ndërkombëtare pas plot 10 vitesh.

Mungesa e pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s ia ka ulur ndjeshëm koeficientin klubit shkodran (1.450). Duke qenë të vendosur në vazon e ekipeve jofavorite, kuqeblutë rrezikojnë të përballen edhe me klube si Maribori (Slloveni) apo Sarajeva (Bosnjë). Gjithsesi, me pak fat në short kanë shansin të luajnë edhe ndaj ekipeve shqiptare si Drita e Gjilanit apo Shkup.

rIVALET E MUNDSHEM LIGA E KONFERENCAVE

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"