Lena: U mundëm prej gabimeve tona, por tani të mendojmë për Tërbunin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2017 | 13:42

Lena: U mundëm prej gabimeve tona, por tani të mendojmë për Tërbunin

Humbja me Flamurtarin ka lënë një shije të hidhur në kampin durrsak. Te Teuta pretendonin të kryesonin edhe pas javës së tretë të kampionatit, por jo gjithçka shkoi sipas parashikimeve. “Djemtë e detit” pësuan humbjen e parë, teksa sipas tyre kjo nuk erdhi për meritë të kundërshtarit, por më shumë për shpërqendrim të durrsakëve.

lena bushic cjapi teuta flamurtari

“Humbje për faj të gabimeve, jo për meritë të kundërshtarit”, ka theksuar për “Panorama Sport” kapiteni i Teutës, Nijas Lena. Sipas organizatorit, skuadra u paraqit me dy fytyra: një pjesë të parë me gabime dhe e çorientuar dhe një super pjesë të dytë.

“Zhvilluam një ndeshje me dy tablo, një pjesë të parë për t’u harruar dhe një pjesë të dytë për t’u marrë shembull. Humbja erdhi më shumë për shkak të gabimeve tona, sesa për meritë të kundërshtarit. Gabuam në të dy rastet e golave, teksa u kapëm në befasi. Duhet ta kishim menaxhuar më mirë fillimin e ndeshjes. Goli e bëri me krahë Flamurtarin, ndërsa ne na demoralizoi.

U çorientuam nga pësimi i shpejtë dhe e patëm të pamundur për të dalë në lojën tonë gjatë pjesës së parë. Kundërshtari e pati të lehtë dhe duke na gjetur me forca të pakta në prapavijë, na goditi me golin e dytë. Ndërsa pjesën e dytë mendoj se e dominuam totalisht. Arritëm të shënonim dhe kishim mundësi për ta barazuar rezultatin, por i tillë është futbolli. Ndoshta edhe fati nuk ishte me ne”, ka thënë Lena.

Mesfushori foli edhe për humbjen e penalltisë. Ai pranon se portieri kundërshtar reagoi në mënyrë perfekte.

“Portieri arriti të më psikologjiste dhe e priti penalltinë. Nuk kishte të bënte me presionin, por thjesht ishte meritë e tij. Fatmirësisht, Hila u gjend pranë dhe e dërgoi në rrjetë topin, duke na rifutur në lojë. Gjithsesi, ashtu si u zhvillua ndeshja, nuk mund të bënim më shumë. Shpresojmë të rikuperojmë këto pikë të lëna në ndeshjet e ardhshme.

Duhet ta harrojmë këtë humbje, sepse na pret një ndeshje tjetër po kaq e rëndësishme, siç është ajo e Kupës me Tërbunin. Kemi humbur në ndeshjen e vajtjes dhe duhet me patjetër të rikuperojmë në fushën tonë për të kaluar në raundin tjetër të Kupës”, përfundoi kapiteni.

Ndërkohë, Teuta luan nesër, në orën 15:30, në “Niko Dovana” sfidën e kthimit, teksa të parën e ka humbur me rezultatin minimal 1-0 në Pukë. Dje, vetëm lojtarët e aktivizuar në ndeshjen me Flamurtarin bënë stërvitje të diferencuar, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi programin stërvitor me kapacitet të plotë nën urdhrat e trajnerit Magani.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"