Leksione te Skënderbeu, Migen Memelli “del nga roli”: Duhet t’u kenë frikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 16:40

Leksione te Skënderbeu, Migen Memelli “del nga roli”: Duhet t’u kenë frikën

Migen Memelli dikur ishte makthi i mbrojtësve dhe shënonte nga çdo pozicion, por tani si trajner duhet të kujdeset për të gjitha, veçanërisht për mbrojtjen. Ndoshta një nga pikat më të dobëta te Skënderbeu që e drejton prej pak ditësh. Humbja me Tiranën ishte goditje për Skënderbeun, që priste kthesën ndaj kampionëve në fuqi. Kjo për shkak te ndryshimit të trajnerit që pritej kthesa e madhe në kampin bardhekuq. Disfata ndaj Tiranës nxori në pah vështirësitë me të cilat do të përballet Memelli në këtë sezon.

mEMELLI

Kjo ka shtyrë trajnerin bardhekuq që të vendosë para përgjegjësisë prapavijën bardhekuqe. Në seancën e djeshme trajneri bardhekuq është marrë veçanërisht me repartin e prapavijës. Fillimisht ka ngritur tonet në analizë duke u bërë me dije se me një brishtësi të tillë nuk mund të ecet dot përpara. Kërkesa dhe dëshirat e trajnerit kanë qenë të thjeshta: më shumë përqendrim dhe agresivitet. Ai është përpjekur të prekë në sedër lojtarët.

“Me një mbrojtje të tillë është e vështirë të ecim. Duhet të jemi më të “këqij” dhe më të egër me kundërshtarin. Kjo është ajo që unë kërkoj dhe ky është mentaliteti i punës sime. Sulmuesi duhet të dridhet para jush dhe këtë fiksojeni mirë. Nuk është diçka e thjeshtë, por duhet impenjim maksimal. Impenjim që unë pres ta shoh në vijim nga ju. Në pozitat që ndodhemi as maksimumi nuk na mjafton. Duhet të jepni shumë më shumë se kaq.

Duke filluar nga ndeshja e radhës dua të shoh reagim nga ana juaj. Kjo është kërkesa ime. Nëse nuk jeni gati të sakrifikoni kjo është pjesë tjetër”, theksoi fillimisht Memelli para ekipit. Pas analizës trajneri bardhekuq ka mbajtur skuadrën në pozita defensive. Për 20 minuta me radhë ekipi është rreshtuar në prapavijë duke përdorur skema të ndryshme mbrojtëse.

Në të tilla kushte Memelli ka kërkuar përqendrim dhe agresivitet nga skuadra për të përballuar sulmet e kundërshtarit. Me këto këshilla, Memelli ka dashur të ngrejë moralin e ekipit për ndeshjen e radhës. Kjo duke parë që edhe ndeshjet e radhës janë të forta për Skënderbeun që kërkon pikët për të dalë nga situata e vështirë e fundit të renditjes.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"