Leksion adoleshentësh në Kavajë, Besa U-17 është krenaria e momentit. Skuadra e parë në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 21:32

Leksion adoleshentësh në Kavajë, Besa U-17 është krenaria e momentit. Skuadra e parë në krizë

Nëse Besa e madhe është bërë për të ardhur keq, një tjetër Besë po mban lart flamurin e krenarisë së traditës e historisë së këtij klubi. Bëhet fjalë për skuadrën U-17 të drejtuar nga Ilirjan Berati, me shumë përvojë në menaxhim si shef klubi, administrator dhe njëkohësisht trajner i skuadrës së parë disa herë, ka ditur të krijojë një grup ambicioz që vërtet të argëton sa herë luan.

Besa U-17 pas 11 javësh kryeson me meritë kampionatin U-17 të Superiores duke lënë pas ekipe të njohura si Skënderbeu, Flamurtari, Teuta, Shkëndija e të tjera. Të rinjtë kavajas kanë tërhequr qindra fansa verdhezi për t’i parë e shijuar jo vetëm në Kavajë, po kudo ku luajnë. Në mbështetje të ekipit është edhe Sali Damarja. Ndërsa, në krah të ekipit është gjendur gjithmonë edhe kryetari i shoqatës “Miqtë e Besës”, Aurel Myftiu, që duket i zhgënjyer nga Besa e madhe.

besa u17

Krahas kampionatit, verdhezinjtë kavajas kanë treguar nivel tejet të lartë edhe në Kupën e Shqipërisë që po zhvillohet gjatë këtyre javëve në Kamzë. Dy ditë më parë, Besa ka arritur në finalen e Kupës ku përballë do të ketë ekipin e Internacionalit. Verdhezinjtë eliminuan gjatë tureve ekipe me shumë investime duke nisur nga Skënderbeu, Kukësi apo Shkëndija e Durrësit.

KRENARIA E KAVAJËS

Ky sukses sigurisht që ka kontribuuesit e saj duke nisur nga trajneri Ilirjan Berati e vijuar me futbollistët. Një portier i talentuar si Ilir Dobjani ka përpara në vijën e mbrojtjes lojtarë me të ardhme si Alesandro Kacbufi apo Redi Vogli. Për të vijuar me mesfushorët Arjan Lemeti, Geri Selita dhe Enes Daiu. Sigurisht, qershia mbi tortë mbetet sulmi ku, falë golave të tyre, ekipi ka rritur ndjeshëm adrenalinën dhe besimin. Maja e sulmit mbetet Jeton Krasniqi që duket se po ndjek gjurmët e vëllait më të madh, Blerim Krasniqit, që në janar u ble nga Skënderbeu duke qenë golashënuesi më i mirë.

besa u 17

Në krah të tij, po aq potent e i përgatitur është sulmuesi tjetër, Flavio Meçja. Cituam më të spikaturit, por meritë ka i gjithë grupi i Besës që meriton mirënjohjen dhe falënderimin në këtë kohë të vështirë për Besën e madhe, ku mbetet flamuri i vetëm i këtij klubi me shumë histori. Më shumë sesa titulli kampion apo fitues i Kupës së Shqipërisë, ky grup jep sinjalin e shumëpritur se Besa në dy vitet e ardhshme nuk ka nevojë të afrojë 19-vjeçarë jabanxhinj, por do të ketë talentet e saj të vërtetë. Ky sukses i këtyre adoleshentëve shërben si motivim edhe për lojtarët e tjerë të grupmoshave U-12 e U-15 të Besës. Ndërsa, ekipi i parë është duke përjetuar një prej periudhave më të vështira në historinë e vet. Verdhezinjtë të shtunën pë- suan humbjen e pestë radhazi, ndërsa renditen në vendin e tetë me 13 pikë duke rrezikuar seriozisht rënien. Adoleshentët po i japin leksion ekipit të parë.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"