Lejdi Liçaj “skanon” Flamurtarin dhe Luftëtarin: Ja si rikthehen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 13:28

Lejdi Liçaj “skanon” Flamurtarin dhe Luftëtarin: Ja si rikthehen në Superiore

Lejdi Liçaj “skanon” si një ish rrëzimin nga Superiorja të Flamurtarit dhe Luftëtarit. Ka keqardhje për të dyja skuadrat ku ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij.

licaj

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Liçaj thekson se duke ruajtur grupin dhe duke bërë jo më shumë se tri blerje, si dhe me një projekt ambicioz Flamurtari do të ringrihet. Ndërsa për Luftëtarin mendon se ndryshimi i presidentëve ka sjellë këtë situatë. Në javën e ndeshjes Flamurtari-Luftëtari, vlonjati thotë se bën tifo për të dyja ekipet.

Liçaj gjendet tashmë në Angli me familjen, ndërsa ka si objektiv që në të ardhmen të rikthehet në futbollin profesionist, por si trajner.

Liçaj, e prisnit që Flamurtari të zbriste nga kategoria?

Të them të drejtën, duke parë nivelin e kampionatit të këtij viti, mendoja se Flamurtari do të shpëtonte, pavarësisht problemeve që kanë pasur apo ndoshta dëmtimet që kanë pësuar nga gjykimi. Për fat të keq, nuk ndodhi ajo që unë mendoja dhe dua të them se më vjen vërtet keq.

Çfarë mendoni se e ka sjellë këtë situatë dhe cilët janë përgjegjësit?

Në fakt, unë kam disa kohë që jam shkëputur dhe nuk e di kush është përgjegjës. Gjithsesi, ata që e drejtojnë Flamurtarin duhet të ulen bashkë për të gjetur një zgjidhje për të mirën e klubit.

Si mund të ringrihet Flamurtari?

Flamurtari duhet të mbajë grupin e lojtarëve për vitin tjetër në Kategorinë e Parë. Mendoj se me afrimin e 2-3 lojtarëve nuk do ta ketë të vështirë të ngjitet në Superiore.

Këtë fundjavë luhet me Luftëtarin.  Si një ish i të dyja skuadrave, për kë bëni tifo?

Unë bëj tifo për të dyja skuadrat, edhe pse është një ndeshje pa objektiva. Jam ndier shumë mirë dhe i respektuar si në Vlorë ashtu edhe në Gjirokastër. Edhe Luftëtari është në të njëjtat pozita si Flamurtari.

Keni keqardhje dhe përse mendoni se është këtu?

Po, patjetër që më vjen shumë keq për Luftëtarin. Ai klub, ai qytet dhe ajo tifozëri nuk e meritojnë që të jenë në këtë gjendje. Për këtë situatë unë mendoj se ka ndikuar ndërrimi presidencës.

Kush e fiton kampionatin këtë sezon?

Mendoj që Tirana. Nuk besoj se do të bëjë hapa falsë. Ka treguar stabilitet si ekip dhe në fund besoj se do të triumfojë.

Aktualisht jeni larguar nga futbolli, çfarë planesh keni për të ardhmen?

Momentalisht jam shkëputur nga futbolli, por luaj për qejf për të mbajtur trupin me një ekip këtu në Angli. E shikoj të ardhmen si trajner, fillimisht me fëmijët. Më pas të shikojmë se çfarë të sjellë koha dhe fati.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"