Latif siguron letrat e transferimit, drejt Ohrit për t’iu bashkuar Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 15:32

Latif siguron letrat e transferimit, drejt Ohrit për t’iu bashkuar Teutës

Latif Amadu është gati për Teutën. Lojtari ka siguruar më në fund lejen e kalimit dhe pritet që sot t’u bashkohet durrsakëve në Ohër, atje ku ekipi është akomoduar që prej ditës së martë. Sulmuesi ganez ishte pjesë e grupit në Itali, atje ku ekipi zhvilloi 4 miqësore, megjithatë nuk u kthye në Durrës.

Latif Amadu

Ai mori rrugën drejt Bjellorusisë, pasi ende nuk e kishte zgjidhur plotësisht kontratën me Dinamo Brest, ku luajti vetëm 8 ndeshje (që nga 2016-ta) dhe një gol. Pasi larguan serbin Semin Haxhibuliç, i cili nuk bindi, i kanë dhënë viston 23-vjeçarit nga Gana që të kthehet te Teuta. E, megjithatë, Latifi pritet që të jetë disi mbrapa me përgatitjet, ashtu si Tarik dhe Moçka, që gjithashtu kanë pasur një periudhe pauze.

Skuadra është stërvitur për gati tri javë, ndërsa lojtarët në fjalë kanë kryer vetëm përgatitje individuale. Gugash Magani i njeh mirë vlerat e portierit dhe të mesfushorit, megjithatë që të bindin trajnerin, duhet që të rifitojnë edhe format fizike. Situatë tjetër është me Nijaz Lenën, i cili ka zhvilluar edhe ndeshje me Kukësin në Kupat e Europës, pasi pritet që të jetë një element që do të bëjë diferencën në mesin e fushës.

Sakaq, dy nigerianët që u prezantuan rishtas, Onyeka Osemene dhe Oluasina Abe Sundaj po dëshmojnë vlera në aspektin fizik, e megjithatë edhe atyre do t’u duhen të paktën dy javë që të kapin normat sportive dhe të jenë në 100%. Vetë Sundaj për “Panorama Sport” u shpreh se i duhet të punojë shumë që të fitojë besimin e trajnerit.

“Kam firmosur për dy vite me Teutën dhe do të mundohem që të justifikoj besimin që më kanë dhënë. Më duhet pak stërvitje dhe do të jem i gatshëm për skuadrën dhe trajnerin dhe, pse jo, të shkëlqej me ekipin tim të ri”, u shpreh afrikani.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"