“Laska bëri batutë, shkodranët e meritojnë më shumë titullin”, Duro, i sinqertë: Ndeshja në Laç varet nga… Partizani-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2021 | 12:20

“Laska bëri batutë, shkodranët e meritojnë më shumë titullin”, Duro, i sinqertë: Ndeshja në Laç varet nga… Partizani-Vllaznia

Laçi luan një ndeshje delikate ndaj Teutës, pasi matematikisht të dyja ekipet kanë shanse për titull. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Shpëtim Duro tregohet i sinqertë, pasi pohoi se takimi Laçi-Teuta është në varësi të përfundimit të përballjes tjetër, Partizani-Vllaznia. Duro pohoi se skuadra e tij e ka arritur objektivin, pjesëmarrjen në Europë. Nga ecuria e skuadrave të para, trajneri kryeqytetas është i mendimit se Vllaznia e meriton më shumë të dalë kampione. 61-vjeçari ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të ekipit që drejton si dhe mundësinë për të qenë trajner i Laçit edhe në sezonin e ri.

Shpetim Duro

Si e prisni ndeshjen me Teutën, besoni se mund të keni shanse deri në sfidën e fundit për të fituar titullin?

Patjetër që është një ndeshje që e presim mjaft të qetë, me moral shumë të lartë. Ky takim vjen pas asaj fitoreje mjaft decizive me Tiranën në transfertë. Jam krenar për këtë skuadër, pasi kemi arritur objektivin e duhur, gjë të cilën e shprehu edhe presidenti Laska pas mbarimit të ndeshjes me Tiranën. Por, jam krenar edhe për faktin se një javë para përfundimit të kampionatit jemi në luftë për titullin kampion.

Presidenti Laska ka thënë: “Teuta kampione”. Ju shqetëson apo ka qenë batutë?

Deklarata e presidentit Laska sigurisht që ka qenë një batutë e cila ka ardhur pas suksesit të arritur me Tiranën në kryeqytet.

Duket sikur një sy të dyja ekipet do ta kenë nga Partizani-Vllaznia. Ju çfarë do t’i kërkoni skuadrës?

Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por që kanë dy gjëra totalisht të kundërta. Partizani dhe Vllaznia e kanë vetë në dorë për ta fituar titullin, ku dy fitore të Partizanit bëhet ai kampion. Por, edhe Vllaznia me dy fitore mund të shpallet kampione. Ndërsa dueli ynë me Teutën normalisht që është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, por gjithmonë jemi në varësi të ndeshjes Partizani-Vllaznia.

Besoni se Vllaznia mund ta ndalë Partizanin dhe ju mund të përfitoni?

Unë jam i mendimit se të katërta skuadrat e para e meritojnë të shpallen kampione sepse kanë qenë gjatë gjithë sezonit në krye të klasifikimit. Por, mund të them se skuadra që e meriton më shumë titullin kampion, pa dyshim që është Vllaznia sepse ka kryesuar kampionatin më shumë javë se të gjithë rivalët e saj. Unë them se ndeshja me Partizanin do të jetë shumë interesante, për të pasur parasysh se Vllaznia në tri përballjet e këtij sezoni nuk ka humbur asnjë ndaj të kuqve, ashtu si edhe Laçi nuk është mundur në asnjë nga ndeshjet e luajtura me Partizanin.

Prisni të rinovoni me Laçin pas përfundimit të sezonit apo keni plane të tjera?

Bashkëpunimi me Laçin pa dyshim ka qenë shumë pozitiv. Në përfundim të kampionatit do të ulem dhe do të bisedoj me presidentin Laska. Në qoftë se do të gjejmë gjuhën e përbashkët për strategjinë e skuadrës dhe objektivat për vitin e ardhshëm, patjetër që dëshira ime është që të vazhdoj punën, por kjo varet edhe nga dëshira ime, si dhe e presidentit.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"