Lajme të mira për klubin e Kategorisë së Dytë, 250 milionë lekë buxhet për të synuar ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 10:47

Lajme të mira për klubin e Kategorisë së Dytë, 250 milionë lekë buxhet për të synuar ngjitjen

Tomori ka vetëm një “mision”, të kthehet në Kategorinë e Parë. Dramën e rënies e kaluan me shumë sportivitet dhe menjëherë ndërtuan baza të forta për t’u ringritur. Ia kanë dalë me sukses dhe kjo duket qartazi nga ecuria në 11 ndeshje të zhvilluara për 2019-ën. 

Tomori5

E mbyllën vitin me sukses të plotë dhe brenda pritshmërive. Janë të parët me 28 pikë, duke lënë pas vetes me 3 pikë më pak rivalë si Maliqi e Albpetroli. Gara është realisht e ashpër, ndaj duhet edhe investim.

BUXHETI 

Për këtë pjesë po mendon Bashkia Berat, e cila ofron mbështetje pa kushte financiare. Për të mos diskutuar ngjitjen, ata kanë planifikuar një buxhet të kënaqshëm për 2020-ën. Në mbledhjen e fundit të vitit në Këshillin Bashkiak (të enjten e 26 dhjetorit), do të miratohet fondi edhe për futbollin. “Panorama Sport” është interesuar gjatë ditës së djeshme në bashki për të zbuluar më shumë rreth shumës që do të vihet në dispozicion për Tomorin dhe ka mësuar se bëhet fjalë për 250 milionë lekë (të vjetër).

Një shumë që ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë. Buxheti i mëparshëm ka qenë 270 milionë lekë (të vjetër). Kjo shumë konsiderohet e mjaftueshme, gjithnjë nëse administrohet brenda normave ligjore dhe nevojave të klubit. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, gjysma e parave do të shpenzohet për gjashtëmujorin e parë në Kategorinë e Dytë, ndërsa pjesa tjetër në Kategorinë e Parë.

Tomori

SPONSORI

Janari mund të vijë i mbarë në Berat. Prej kohësh flitet për afrimin e një sponsori zyrtar dhe ka shumë të ngjarë që në nisje të 2020-ës të ketë zhvillime të mëdha në këtë drejtim. Ende nuk ka emra apo të dhëna zyrtare, por beratasit shpresojnë që kjo të ndodhë një orë e më parë.

MERKATO

Tomori nuk do të lërë pas dore as merkaton. Pritet që fillimi i janarit të sjellë surpriza. Afrimet nuk do të mungojnë për të pasuruar grupin në ato pozicione ku ka pasur probleme. Nuk mund të flitet ende për emra konkretë, pasi nuk kanë hyrë ende në fazën e negociatave.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"