Lacio e Tares dhe Strakoshës kërkon kthesën, në Kiev për të bërë historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 9:29

Lacio e Tares dhe Strakoshës kërkon kthesën, në Kiev për të bërë historinë

Lacio është nisur drejt Ukrainës ku sot do të përballet në ora 19:00 me Dinamon e Kievit. Rezultati i takimit të parë (2-2) detyron bardhekaltrit për një fitore, ose të paktën një barazim me mbi dy gola.

lacio dinamo kiev

Misioni bëhet edhe më i vështir, teksa sheh statistikat e Dinamos, e cila është kualifikuar thuajse gjithmonë në ndeshjet europiane pasi ka barazuar takimin e parë.

10 kalime turi në 11 janë një kartëvizitë e rëndësishme, por edhe Lacio nuk është keq në nivel shifrash. Bardhekaltrit mbajnë rekordin e Ligës së Europës për fazën në grupe, gjatë të cilës në 11 takime në transfertë nuk janë mundur kurrë.

lacio

Edhe me ekipet ukrainase, bilanci është pozitiv me vetëm një humbje në 11 precedentë. Duke u kapur fort pas ecurisë larg “Olimpicos” bardhekaltrit iu drejtuan dje Kievit pa Milinkoviç dhe Basta.

Serbët qëndruan në Romë për të vijuar riaftësimet përkatëse. Mungesat e tyre detyrojnë Simone Inzagin të zbresë në mesfushë Luis Alberton, teksa vendin e tij përkrah Imboles t’ia besojë Felipe Andersonit.

Strakosha

Dilema tjetër, tashmë e zgjidhur ishte edhe ajo e portës. Thomas Strakosha kishte pësuar një goditje në brinjë çka e kishte penguar të stërvitej me grupin në dy ditët e para të javës.

Nga analizat, por edhe duke u nisur nga vetë gjendja e shqiptarit nuk bëhet fjalë për asgjë serioze me 23- vjeçarin, që sot pritet të mbrojë rregullisht katërkëndëshin bardhekaltër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"