Laçi u jep besim të rinjve, zv.trajneri i kurbinasve: Presim ende afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 16:09

Laçi u jep besim të rinjve, zv.trajneri i kurbinasve: Presim ende afrime

Laçi i sezonit 2023-2024 do të ketë ndryshime të mëdha dhe për më tepër me lojtarë të rinj, të cilët kërkojnë të afirmohen në Superiore. Deri më tani klubi ka afruar sulmuesin anglez, Ronald Sobovale, që vjen nga kampionati kosovar, mbrojtësin brazilian Luis Paulo Silva Zhunior, i cili luajti te Tërbuni, si dhe të rinjtë Emanuil Guci, Orgi Cena, Khalil Taleb, Ortelio Biba dhe Agan Mjaki.

Voska-Laci-1

Ky i fundit është njëkohësisht edhe pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Pas miqësores së fundit që kurbinasit luajtën ndaj Vorës, foli për “Panorama Sport” ishsulmuesi Eduard Tanushi, i cili prej një muaji është emëruar zv.trajner i Laçit, duke qenë krahu i djathtë i Stavri Nicës. “Vijmë nga një fazë përgatitore prej 12 ditësh në Ohër. Duke pasur parasysh edhe ngarkesat që kemi pasur atje, pjesërisht jemi të kënaqur nga testi ndaj Vorës.

Shpresojmë tani të bëjmë edhe ndonjë goditje në merkato. Grupi ende nuk është kompletuar, por një qëllim yni është që djemtë e rinj, të cilët i kemi në skuadër, t’i mbështesim. Deri në fund të merkatos presim të na afrohen disa elementë të tjerë cilësorë, për të kompletuar ekipin.

Laçi i sivjetshëm do të jetë sërish me pretendime. Kryesorja është që të fitojmë elementin e ri, pasi kemi afruar disa lojtarë premtues”, ka thënë Tanushi për gazetën. Krahas tij, në stafin kurbinas është emëruar edhe Mario Bytyçi si trajner portierësh.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"