Laçi thuajse me të njëjtin grup, trajneri Mirel Josa kërkon një sforco ndaj shijakasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 19:05

Laçi thuajse me të njëjtin grup, trajneri Mirel Josa kërkon një sforco ndaj shijakasve

Trajneri i Laçit, Mirel Josa, i bën llogaritë me grupin e lojtarëve që mbylli vitin 2023, duke mos pasur pritshmëri nga merkato, ndërsa nga skuadra nuk është larguar asnjë deri më tani. Këtë ai e konfirmoi edhe pas miqësores me Vllazninë. “Nuk është se kemi bërë ndonjë lëvizje, por pres që të kthehen ata lojtarë që kemi pasur të dëmtuar dhe vetëm kaq për këtë merkato”, sqaroi trajneri.

josa-mirel-laci

Të dielën, Laçi pret Erzenin për llogari të javës së 19-të dhe trajneri kërkon një sforco nga grupi aktual për ta nisur me fitore vitin 2024. Disa lojtarë titullarë kanë pasur probleme fizike, pikërisht Ujka, Manellari, Melo, Barjamaj etj. Gjithsesi, Josa shpreson që të dielën të ketë të gjithë grupin në dispozicion. Ndërkohë, Laçi ka afruar deri më tani mbrojtësin e majtë Indrit Prodani, i cili vjen pas dy vitesh aktivizim te Dinamo në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë.

Ai rikthehet në skuadrën e vendlindjes pas rreth 6 vitesh, por për të luajtur i duhet të presë, pasi Laçi e ka merkaton e bllokuar nga FIFA dhe deri në zhbllokimin e saj, Prodani nuk mund të federohet për llogari të kurbinasve. Synimet e kurbinasve janë për të qenë pjesë e katërshes deri në fund, por skuadra ka humbur jo pak terren në fazën e dytë. Gjithsesi, kur pritet të luhen edhe 18 ndeshje deri në fund të kampionatit, besimi te bardhezinjtë është për një ecuri komplet tjetër nga dy fazat e para.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"