Laçi “peshkon” te Tërbuni, ish-mesfushori i Vllaznisë bashkohet me bardhezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2023 | 21:19

Laçi “peshkon” te Tërbuni, ish-mesfushori i Vllaznisë bashkohet me bardhezinjtë

Laçi ka ndryshuar strategjinë këtë sezon, duke u bazuar më shumë tek elementët e rinj, të cilët mund të shpërthejnë në Superiore. Emanuil Guci, Orgi Cena, Khalil Taleb, Ortelio Biba dhe Ledjo Tresa janë afruar pas eksperiencës në akademinë e Internacionalit në kryeqytet, ndërsa gjithashtu klubi ka marrë sulmuesin anglez, Ronald Sobovale, si dhe qendërmbrojtësin brazilian, Luis Paulo Silva Zhunior.

filipi

Me Laçin është stërvitur këtë periudhë edhe mbrojtësi i djathtë i Kombëtares U-21, Agan Mjaki. Ndërkohë, e reja më e fundit është afrimi i mesfushorit të krahut me origjinë nga Puka, Anderson Filipi. 21-vjeçari i rritur në akademinë Vllaznia ka nisur stërvitjen me kurbinasit, ndërsa në sezonin e kaluar shkëlqeu në Kategorinë e Parë si pjesë e Tërbunit.

Sipas të gjitha gjasave, Filipi do të firmosë me Laçin dhe ky do të jetë sezoni i tij i parë në Kategorinë Superiore. Filipi shihet si një lojtar i talentuar, që ka spikatur veçanërisht me Vllazninë në kampionatet kombëtare të grupmoshave U-17 dhe U-19.

GANI PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"