Laçi mbyll fazën përgatitore, kurbinasit bëhen gati për suksesin ndaj Iskras

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2022 | 10:19

Laçi mbyll fazën përgatitore, kurbinasit bëhen gati për suksesin ndaj Iskras

Laçi ka mbyllur me sukses fazën përgatitore në Pogradec dhe dje kurbinasit janë kthyer në kryeqytet, ku edhe pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të akomoduar. Sa u përket rezultateve, ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro bëri paraqitje pozitive në dy miqësoret e zhvilluara, ku përballë kishin dy ekipe kosovare që marrin pjesë në Ligën e Konferencës.

laci

Në testin e parë Laçi fitoi me përmbysje, 2-1, ndaj Gjilanit, ndërsa në ndeshjen e dytë, ndonëse patën disa mungesa arritën të fiton 2-0 ndaj Llapit. Por përgatitjet e laçianëve u mbyllën me një dëmtim të rëndë, ku Klinti Qato pas dëmtimit që mori në gju ndaj Gjilanit është i detyruar që të kryejë operacion, pasi ka këputur ligamentet dhe pritet të mungojë rreth 6 muaj.

Dëmtimi i Qatos e ka bërë me “dhimbje koke” trajnerin Duro, pasi dihet që kurbinasit kanë boshllëqe në mesfushë. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro kanë besim se do t’ia dalin me sukses ndaj Iskras në turin e parë, ku pa dyshim garancia vjen nga sulmi, që mbetet reparti më i kompletuar dhe cilësor i kurbinasve.

Largimet në përfundim të sezonit të fundit kanë qenë me peshë, pasi është e vështirë që të gjesh zëvendësues cilësorë për Julian Shehun dhe Ardit Deliun që janë transferuar jashtë vendit.

Për mesfushën Laçi ka afruar një lojtar me CV të pasur, si Majkëll Batunde, por nigeriani ka kohë pa luajtur ndaj do kohë që të kap ritmin. Saliu Guindo e ka rregulluar problemin e pasaportës dhe do t’i bashkohet ekipit në seancat që do të kryejnë në kryeqytet para ndeshjes së 7 korrikut me malazezët e Iskras.

Laçi është pritës në ndeshjen e parë, sfidë e cila do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 20:00. Ky takim do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Luksemburgu. Kryesor është Alen Dyrië dhe ndihmës të tij janë Hoakim da Silva dhe Devid Mateus Santos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"