Laçi kërkon tre pikët për Europën, Nica me sytë nga Guindo dhe Shkurtaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2023 | 12:50

Laçi kërkon tre pikët për Europën, Nica me sytë nga Guindo dhe Shkurtaj

Laçi po kalon një moment të mirë në kampionat dhe sot në Ballsh do të kërkojë vazhdimësinë në rezultate. Që prej ardhjes së trajnerit Stavri Nica, skuadra ka qenë më pragmatiste, ndërsa ka arritur të marrë atë që ka kërkuar.

Laci

Me 40 pikë në vendin e pestë, bardhezinjtë janë vetëm tri pikë larg zonës europiane, prandaj dhe sot ndaj Bylisit do të synojnë fitoren për të shpresuar deri në fund te kualifikimi në Ligën e Konferencës.

Forma e mirë që po kalon sulmuesi Saliu Guindo, i cili nga janari dhe deri më tani ka shënuar tetë gola pasi rikthimit me fanellën bardhezi, është një garanci më shumë për stafin. Ai ka shënuar rregullisht, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Vasil Shkurtajn.

Trajneri Nica i ka aktivizuar të dy si titullarë, duke rriskuar jo pak, por zgjedhja që ka bërë i ka dhënë të drejtë deri tani, pasi ka sakrifikuar një mesfushor dhe ka luajtur me dy qendërsulmues të mirëfilltë.

Edhe në ndeshjen e sotme në Ballsh kështu pritet të ndodhë, ndërkohë që dilema e vetme e Nicës duket se është Mazrekaj. Ky i fundit ka gjasa ta nisë sërish nga stoli, pasi trajneri kërkon që të ketë ekuilibër në skuadër dhe preferon Spahiun, i cili mund të vihet në shërbim të grupit edhe sa i përket fazës difensive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"