“Laçi është gjithnjë kundërshtar i rrezikshëm”, Prençi: Skënderbeu e ka treguar forcën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2023 | 15:19

“Laçi është gjithnjë kundërshtar i rrezikshëm”, Prençi: Skënderbeu e ka treguar forcën

Skënderbeu kërkon të vijojë me paraqitjet pozi tive për të mbajtur lart kërkesat sa i përket objektivit sezonal. Ndaj, në kushte të tilla pas këtyre rezultateve të mira në ndeshjet e fundit në kampin bardhekuq janë të bindur se ky ekip mund të bëjë më shumë se kaq. Normalisht që barazimi në transfertë me Partizanin ishte një tregues më shumë i formës së mirë që janë duke kaluar korçarët.

prenci

Ndaj edhe për këtë, ambiciet pas çdo ndeshjeje të tillë sa vijnë dhe shtohen. I këtij mendimi është mbrojtësi i Skënderbeut, Elvis Prençi, i cili në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, flet për takimin e barazuar në transfertë dhe mundësitë e Skënderbeut në raport me ekipet e tjera. “Ndeshje të tilla tregojnë forcën tonë dhe na risin më shumë besimin te ky grup që kemi krijuar për sa i përket mundësive tona. Ishte një ndeshje e vështirë dhe një pikë besoj se na rri mirë, pavarësisht se në çdo ndeshje kërkojmë të marrim maksimumin.

Nëse i referohemi mënyrës sesi shkoi loja, mund të them se ishte një ndeshje, që edhe mund ta fitonim, por edhe mund ta humbisim pasi episodet e treguan një gjë të tillë. Na vjen keq vetëm për golin e pësuar shumë shpejt, sapo nisi pjesa e dytë. Nëse nuk do të ishim shpërqendruar në atë moment, mbase do të flisnim ndryshe. Megjithatë, është një rezultat i mirë. Të mos harrojmë se i kemi marrë 4 pikë Partizanit dhe kjo nuk është pak, por një tregues i qartë i vlerave tona”, theksoi fillimisht Prençi.

LAÇI – I ndalur më pas te ndeshja ndaj Laçit, mbrojtësi i korçarëve theksoi se bëhet fjalë për një tjetër takim impenjativ. Do të jetë një ndeshje e fortë për vetë faktin se të dy ekipet do të kërkojnë të marrin maksimumin. “Luajmë ndaj Laçit në shtëpi dhe mbetet një tjetër ndeshje e fortë për ne. Nuk ka ndeshje të lehta dhe ky sezon po e tregon më së miri një gjë të tillë. Fakti që luajmë në fushën tonë do të jetë avantazh, por të mos harrojmë se Laçi është një ekip cilësor dhe që ka nevojë për të rikuperuar pikë.

Ndaj duhet të jemi në maksimum të përqendruar. Të mendojmë vetëm për të bërë më të mirën tonë”. Sa i përket “Final 4”, Prençi nuk ka dashur të shpërqendrohet, por ka qenë i vendosur kur tha se ndeshja e radhës është një objektiv më i rëndësishëm për Skënderbeun sesa renditja finale. “Ne për momentin objektiv primar kemi ndeshjen e radhës. Të flasësh për ‘Final 4’ është diçka e largët, pasi nuk kemi përshkruar as gjysmën e rrugëtimit. Le të jemi me këmbë në tokë dhe të mendojmë objektivat e afërt. Mundësitë i kemi, nuk kemi pse ta mohojmë, por më mirë t’i marrim gjërat një e nga një”, përfundoi mbrojtësi i Skënderbeut, Elvis Prençi.

Rikthimet

Nikaj gati, por pritet edhe Rashica

Skënderbeu nuk ka kohë për të humbur dhe menjëherë pas barazimit me Partizanin korçarët kanë zbritur në fushë për të përgatitur ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Laçit, që gjithnjë ka rezultuar rival tejet i vështirë për korçarët. Në lidhje me këtë takim shtëpie, në Korçë të gjithë janë duke punuar për rikuperimin e Ermir Rashicës, teksa në anën tjetër Gvozdenoviç do të ketë edhe Ardit Nikajn në dispozicion, pasi ka shlyer dënimin pas ndëshkimit me 4 kartonë të verdhë. Ndaj Partizanit munguan të dy këta lojtarë dhe në sulm pati mjaft boshllëqe.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"