La pas dëmtimin dhe kontribuoi në fitoren e Burrelit, Kurbneshi: Ishim superior ndaj Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 13:39

La pas dëmtimin dhe kontribuoi në fitoren e Burrelit, Kurbneshi: Ishim superior ndaj Tomorit

Burreli mori një trepikësh “të artë” në luftën për mbijetesë ndaj Tomorit, por kjo fitore ktheu dhe qetësinë e duhur në kampin matjan. Fitorja e së shtunës ka qenë ditë dedikimesh, si për trajnerin Klevis Hima ashtu dhe për autorin e golit të dytë të ndeshjes, Donald Kurbneshi.

kurbneshi burreli

Të dy, këtë fitore ia kanë dedikuar baballarëve të tyre me rastin e ditëlindjeve. Për shkak të dëmtimit, ecuria e Kurbneshit këtë edicion sezon është shoqëruar me luhatje. Edhe në ndeshjen ndaj Tomorit ai u fut në fushën e lojës me fillimin e pjesës së dytë, duke zëvendësuar Hotin. Aktivizimi i tij rezultoi me sukses, pasi goli i shënuar në minutën e 78-të vulosi fatet e ndeshjes, duke i dhënë skuadrës qetësinë e duhur në këto momente që kampionati është në pikën e saj më delikate.

“Për vetë pozitat që kemi në renditje, fitorja ndaj Tomorit ishte objektivi ynë i vetëm. Zhvilluam një ndeshje perfekte duke mos e diskutuar për asnjë moment fitoren e arritur. Skuadra e kërkoi golin që në minutat e para. Por, në saj të lojës sulmuese, arritëm të  merrnim atë që kishim objektiv: trepikëshin”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” sulmuesi i skuadrës matjane. Në mbyllje të prononcimit Kurbneshi u ndal edhe te ndeshja e radhës:

Jemi një skuadër në harmoni të plotë dhe me pak kujdes duhet të ishim më mirë në renditje. Nisur nga klima që kemi në skuadër, jam optimist se do të arrijmë rezultate pozitive, duke filluar nga ndeshja e kësaj fundjave me Luzin në transfertë”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"