Kushta: Stafi më i dobët në historinë e Flamurtarit, titullin e meriton Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2015 | 12:05

Kushta: Stafi më i dobët në historinë e Flamurtarit, titullin e meriton Skënderbeu

Sokol Kushta

Për Sokol Kushtën, te Flamurtari nuk funk sionon asgjë, ndërsa faji dhe përgjegjësia bien mbi të gjithë.

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat thotë se Flamurtari ka dështuar me zgjedhjet e bëra. Kushta thotë se stafi teknik italian është më i dobëti që mund të ketë ardhur ndonjëherë te Flamurtari.

Ish-futbollisti i shquar është shprehur kategorikisht kundër ndryshimit të formacionit në çdo ndeshje, por gjithashtu edhe kundër testeve fizike që stafi teknik zhvilloi muajin e kaluar, duke i cilësuar si të panevojshme dhe mungesë profesionalizmi.

“Te Flamurtari në këto momente asgjë nuk funksionon, që nga administratori deri tek i fundit. Unë besoj se në një biznes fajin e parë e ka presidenti me zgjedhjet e tij, po pa lënë jashtë asnjë hallkë. Për sa i përket stafit drejtues, unë them se nuk mund të ketë ardhur në Vlorë një staf më i dobët se ky. Nuk ka ardhur ndonjëherë te Flamurtari një trajner që sa ndeshje ka, aq formacione ka bërë… Nuk ka ardhur asnjëherë te Flamurtari një trajner që bën fazën përgatitore, më pas blen lojtarë dhe në mars bën testimet e ekipit të tij dhe na thotë janë të papërgatitur…! Kujt ia kërkon ai këtë?! A e di situatën në ekip apo jo?! Pra, unë them se ky është një vit shumë i keq për Flamurtarin, i cili ka dështuar jo vetëm se ka dalë nga objektivat, por ka dështuar edhe në administrim dhe drejtim”, shprehet fillimisht Kushta.

E ardhmja e Flamurtarit

Sokol Kushta thekson se për sezonin e ri duhet të punohet fuqishëm për të kthyer imazhin e Flamurtarit që është prishur shumë këtë sezon. Ish-shefi i klubit të Flamurtarit thotë se duhet të bëhet shumë në administrim dhe në gjithçka tjetër. Për Kushtën, kjo situatë duhet ndryshuar urgjentisht, pasi Vlora dhe tifozët nuk e meritojnë këtë situatë. “Për sa i përket sezonit të ri, ka shumë për të bërë. Them se duhet të bëhet shumë që në administrim dhe deri në kthimin e imazhit të prishur keq këtë vit. Kisha besim se sivjet gjërat do të shkonin më mirë, por u bënë edhe më keq akoma nga çfarë ishin. Kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht, pasi Vlora, tifozët, por edhe emri i madh i Flamurtarit nuk e meritojnë këtë gjendje skandaloze”, shprehet Kushta.

Kampionati dhe Kombëtarja

Gjatë prononcimit për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, duke u ndalur te kampionati, thotë se edhe këtë vit Skënderbeu e meriton të fitojë trofeun. “Për mendimin tim, Skënderbeu ka ekipin më të mirë dhe e meriton këtë vit që të shpallet kampion”, thotë Kushta. Ish-futbollisti i shquar ndalet edhe tek ecuria e Kombëtares, ndërsa thotë se me faktet që disponohen, duhet të fitohen tri pikët. Kushta theksoi se rasti i Rusisë tregoi se sa larg nga drejtësia janë vendet e vogla si Shqipëria. “Kombëtarja është në rrugë të drejtë dhe fitorja me Armeninë tregoi edhe një herë se kjo Kombëtare ka forcë për të ecur përpara. Sa i takon çështjes me Serbinë, unë e kam thënë që na takojnë tri pikët dhe duhet t’i kërkojmë t’i marrim me faktet që kemi. Ndeshja e Rusisë tregoi dhe një herë sa larg jemi ne vendet e vogla nga drejtë- sia”, përfundoi Kushta.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"