Kurs gjuhe nga trajnerët, tifozët dhe dritat “ters” për Vllazninë. Ja pikantet e supersfidës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2019 | 17:40

Kurs gjuhe nga trajnerët, tifozët dhe dritat “ters” për Vllazninë. Ja pikantet e supersfidës

“Loro Boriçi” u elektrizua mbrëmë. Plot 6 mijë të pranishëm i dhanë tjetër atmosferë ndeshjes Vllaznia-Partizani, paçka se pritshmëritë ishin që të ishin mbi 8 mijë tifozë. E megjithatë, kjo shifër nuk është pak, kur mendon që stadiumet në Shqipëri sa vijnë edhe “tkurren”.

bardhi

– “Power 12”, kështu quhet grupimi më i ri i tifozëve të Vllaznisë. Ata ishin pozicionuar pas portës, përballë tabelës elektronike. Nga minuta e parë e deri në fund nuk u ndalën së mbështeturi ekipin e zemrës.

– Që në orën 15:30 ka nisur hyrja e tifozëve në shkallët e stadiumit, por si zakonisht fluksi u krijua 15-20 minuta para se të startonte krejt sfida.

vllaznia partizani

– Sapo është shfaqur në shkallët e stadiumit Olsi Rama, nuk kanë munguar as thirrjet me humor në drejtim të tij. “Rama ik, Rama ik”, por kësaj here duket qartë se shkodranët se e kanë pasur me Kryeministrin, që në këtë rast është vëllai i drejtorit të përgjithshëm të Partizanit.

– Ashtu si çdo ndeshje tjetër të kësaj jave, edhe në Shkodër loja nisi me një minutë heshtje për të nderuar ish-presidentin e FSHFsë, Miço Papadhopulli, i ndarë pak ditë më parë nga jeta.

partizanii]

– Nga italishtja në anglisht. Si Franko Lerda ashtu edhe Mirsad Jonuz u munduan gjatë gjithë kohës që të mobilizonin ekipin e tyre, por duke folur në gjuhë të huaj. Trajneri i Partizanit dëgjohej hera-herës tek u thoshte futbollistëve: “Avanti, avanti”. Ndërsa në krahun tjetër maqedonasi i Vllaznisë, thoshte: “Go, go”. Italiani i “demave” ka kërkuar nga të tijtë që të shtynin përpara, ndërsa Jonuz kërkonte qetësi.

lerda stoli

– Minuta e 16-të dhe shkodranët pretendojnë një prekje të topit me dorë nga një prej mbrojtësve miq në zonën e tyre. Por për gjyqtarin s’ka asgjë dhe kjo solli irritimin e tifozërisë vendëse.

– Vetëm dy minuta më pas Vllaznia barazon shifrat, ndërsa i gjithë stafi dhe pankina janë në fushën e blertë për të festuar. – Franko Lerda këshillon në të 28-ën minutë shkodranin e Partizanit, Erald Çinari. I kërkon që të mos kthejë topat pas, por të shkojë drejt portës për të goditur, gjë që e bëri edhe në momentin e golit.

– Në minutën e 34-t gjyqtari Andi Koçi humb ekuilibrin dhe bie në tokë. Ky moment është shoqëruar me të qeshurat e tifozërisë shkodrane.

cinari shkoder

– Nuk mungojnë duartrokitjet për çdo lojtar që ndërrohet prej trajnerit të Vllaznisë. Kjo gjë nis me Gligorovin dhe u përsërit me Shtubinën e Hygorin.

– Në të 70-ën Jonuz dhe Lerda nuk kursejnë sqarimet mes tyre.

– Emerson nuk pret sa të futet në fushë e për këtë harron që të heqë fanellën me të cilën është stërvitur. Por ka qenë gjyqtari i 4- t që ia ka kujtuar këtë gjë brazilianit.

-Në minutën e 79-të Solomon, që sapo ishte zëvendësuar u godit me një shishe uji hedhur nga tifozët vend.

– Topat, një problem për lojtarët. Dy të tillë janë larguar nga loja, sepse rezultonin të shfryrë.

– Shtrëngime duarsh pas takimit mes teknikut Jonuz dhe Asanit me Belicën, të cilët me siguri i njeh mirë prej kohës që luanin në Maqedoni. Por të njëjtën gjë e pamë edhe mes brazilianëve të të dyja skuadrave.

– Tribuna VIP sjell “pajtim me Ramës dhe Ademit”. Për të ndjekur përballjen mes Vllaznisë e Partizanit ka qenë e pranishme edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Ajo dje ka shtrënguar duart dhe ka komunikuar me Ramën dhe drejtuesit më të lartë të klubit të kuq, por me Olsin, vëllain e kundërshtarit të saj politik.

cinari nuk feston partizani

– Engin Firat dje është parë pranë ekipit në Shkodër. Ka qenë ndeshja e tij e parë pas një mungese disamujore, për të mos thënë e para. Por prezenca e tij nuk ka rezultuar fatsjellëse për kuqeblutë. Ata u ndëshkuan në minutat shtesë të takimit. Turku ka qenë së bashku me stafin teknik dhe administratorin Lici deri në momentet e fundit në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.

– Pas takimit tekniku Mirsad Jonuz nuk e ka fshehur mërzinë e tij. Ai mësohet se edhe në dhomat e zhveshjes ka kritikuar për dy gabimet e bëra portierin Sherri. Ai madje diskutimin e ka vijuar edhe në hollin e stadiumit. Por, gjithsesi, në fund e ka shtrënguar fort portierin, duke i kërkuar që ta kalojë këtë situatë dhe t’i përvishet punës.

mirsad jonuz

– Vllaznia dështon para tifozëve dhe me prozhektorë. Të dyja takimet që skuadra ka pasur një mbështetje maksimale të sportdashësve dhe mbi të gjitha i ka luajtur me drita, ka dalë e humbur. Dhe koincidenca thellohet, kur sheh që disfatat vijnë me dy gola diferencë. 0-2 me Tiranë dhe 1-3 me Partizanin.

A.Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"