Kuro karikon Teutën: Kukësin duam ta mundim, por kjo nuk arrihet me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2023 | 22:10

Kuro karikon Teutën: Kukësin duam ta mundim, por kjo nuk arrihet me…

Teuta nuk arriti të fitojë me Erzenin në “Niko Dovana” dhe në sfidën e radhës duhet me patjetër një hap para, për të provuar distancimin nga zona e rënies. Mbrojtësi i Teutës, Aleksandër Kuro, qëndron me këmbë në tokë për sa u përket ndeshjeve dhe rezultateve.Collage Maker-17-Feb-2023-09.45-PM

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shprehet se skuadra duhet të mos entuziazmohet shumë dhe se ndeshja me Kukësin kërkon vlerësim maksimal dhe se duhet të merren pikët e plota. Mbrojtësi shprehet se pavarësisht që Teuta nuk fitoi ndaj Erzenit, ekipi tregoi se ka rritje. Kuro tregohet altruist jo vetëm në fushë, por dhe kur pyetet për objektivat personalë, pasi vë ato të skuadrës, para arritjeve të tij.

Vetëm barazim ndaj Erzenit, mendoni se meritonit më shumë?

Ndeshja nisi mirë për ne, që shënuam, por edhe shpërdoruam disa raste. Normalisht që na vjen keq se nuk arritëm të fitonim. Në fraksionin e parë, edhe kundërshtari kishte shanset e tij. Vetëm në pesë minutat e fundit arritëm të dominonin ne. Në pjesën e dytë hymë në fushë më të motivuar dhe arritëm të krijonim, por nuk morëm dot fitoren, që do të na jepte akoma më shumë qetësi për vijimësinë.

Si po e përgatit Teuta sfidën ndaj Kukësit?

Janë dy gjëra që duken të ndara nga njëra-tjetra. Psikologjikisht jemi mirë dhe presim të tregojmë reagimin tonë ndaj Kukësit, por nga ana tjetër nuk mjafton, sepse duhet të bëjmë disa fitore rresht për të rikthyer besim të plotë në vete. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Loja fitohet në fushë, jo duke bërë parashikime për ndeshjen ndaj Kukësit. Duhet të jemi gjithë kohës me motivim maksimal. Na duhet të jemi dhe akoma më të përqendruar.

E keni parë dhe studiuar Kukësin në ndeshjen e fundit?

Po, e kemi parë Kukësin dhe mendoj se ata kanë një ekip të fortë, prandaj edhe ne e kemi marrë shumë në konsideratë. Janë një skuadër cilësore dhe me shumë alternativa në stol.

A mendoni se ky është momenti i Teutës për pikët e qetësisë?

Nëse ne duam që të realizojmë objektivat dhe të arrijmë atje ku duam, duhet të fitojmë edhe ndeshjen ndaj Kukësit. Jo vetëm për të na dhënë më shumë qetësi, por një fitore ndaj këtij rivali mendoj se vlen gjashtë pikë.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen ndaj Kukësit?

Diferencën do ta bëjë fryma e grupit, sepse edhe vjet i njëjti element ka bërë që Teuta të ecë mirë. Teuta nuk ka pasur ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme dhe ka arritur të bëjë shumë mirë. Shpresoj që të bëjmë kështu edhe tani me frymën e grupit, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të marrim tri pikë ndaj Kukësit.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"