Kura “Starova” ka efekt, Partizani mund Flamurtarin me “poker”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2016 | 19:32

Kura “Starova” ka efekt, Partizani mund Flamurtarin me “poker”

Partizani duket një ekip krejt i ndryshëm nën drejtimin e Sulejman Starovës. Në javën e shtatë të Kategorisë Superiore, të kuqtë shkatërruan 4-0 Flamurtarin në “Elbasan Arena”.

Gjithçka e thjeshtë për kryeqytetasit, të cilët goditën portën vlonjate nga dy herë në secilën pjesë. Ekuban dhe Trashi shtruan udhën e suksesit në gjysmën e parë të lojës, ndërsa Vila dhe Bardhi plotësuan “pokerin” në minutat e fundit.

Me këtë sukses Partizani ngjitet i dyti me 14 pikë, -4 nga Skënderbeu, si dhe konfirmohet mbrojtja më e mirë e kampionatit me vetëm një gol të pësuar. Kurse Flamurtari mbetet i treti nga fundi me vetëm pesë pikë.

Partizani mund Flamurtarin

Minutë pas minute

90+4′ Përfundon loja, Partizani mposht Flamurtarin 4-0 në “Elbasan Arena”.

88′ GOL! Ka festë edhe për Jurgen Bardhin. Talenti i Partizanit shfrytëzon një pasim të Ramadanit nga e majta. Pasi i shpëton mbulimit të mbrojtësve kuqezi, 18-vjeçari nuk e ka të vështirë të shënojë duke vulosur “pokerin” e të kuqve.


87′ Në zëvendësimin e tretë, Starova i rezervon disa minuta Mentor Mazrekajt. Jashtë fushe autori i golit të dytë, Lorenc Trashi.

86′ GOL! Partizani gjen edhe golin e tretë. Vila bën gjithçka mirë pas një topi të marrë në mesfushë dhe, pas një shkëmbimi 1-2 me Bardhin, mposht Frashërin.


81′ Trashi nuk përfiton dot nga një krosim nga e djathta. Gjuajtja me kokë e mesfushorit është e dobët dhe jashtë portës.

75′ Magani e mbyll me ndërrimet. Astrit Fazliu i bën vend kroatit Ivan Galiç.

74′ Alban Hoxha vihet në provë nga Ardit Shehaj. Mesfushori përfiton nga një top i dalë me fat në hyrje të zonës dhe gjuan me të majtën rrafsh me tokën. Megjithatë portieri i Partizanit është i vëmendshëm dhe devijon në goditje këndi.


69′ Edhe Sulejman Starova bën zëvendësimin e dytë, duke futur Jurgen Bardhin në vend të Agustin Torasës.

67′ Ndërrimi i dytë te Flamurtari: Ardit Shehaj merr vendin e kapitenit Bruno Telushit. Shiritin e merr Hair Zeqiri.

66′ Sërish mundësi për të kuqtë. Pas një rrëmuje në zonë, Telushi gabimisht e lë topin në zonë. Aty ka mundësi të përfitojë Ramadani, por mesfushori tregohet i pasaktë duke gjuajtur jashtë.

Guerrils

63′ Ekuban ka një rast të shkëlqyer për të shënuar. Sulmuesi mori një top nga mesfusha dhe depërtoi me shpejtësi mes dy mbrojtësve vlonjatë deri në kufijtë e zonës. Por 22-vjeçari gabon në momentin e fundit, duke gjuajtur mbi traversën e portës.

60′ Sulejman Starova përforcon mesfushën me Ylber Ramadanin. Nga fusha del Realdo Fili, duke e ndryshuar rreshtimin në 4-3-3. Batha, Trashi dhe Ramadani qëndrojnë në mesfushë, me treshen Vila-Ekuban-Torasa përpara.

54′ Gugash Magani kryen lëvizjen e parë nga stoli duke nxjerrë Balsha Radoviçin për Rigers Dushkun.

Nis e dyta

46′ Fillon pjesa e dytë me të njëjtat formacione që mbyllën të parën. Partizani e nis nga mesi i fushës.

Lorenc Trashi, në një prononcim të shkurtër për “SuperSport”-in në pushimin mes pjesëve tha se e ka provuar disa herë në stërvitje gjuajtjen që solli golin e dytë. “E kam provuar vazhdimisht në stërvitje atë goditje dënimi dhe jam i lumtur që më në fund e realizova”, u shpreh mesfushori gramshiot.

Trashi

Pjesa e parë

45+1′ Mjafton kaq për gjysmën e parë të lojës: Partizani 2, Flamurtari 0.

41′ Idriz Batha ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Fazliut dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Goditja e lirë për Flamurtarin pranë zonës së kuqe nuk sjell asnjë kërcënim për portën e Alban Hoxhës.

36′ Në fushë është vetëm Partizani, që ka një tjetër mundësi për të shënuar. Ibrahimi zbret shpejt në krahun e majtë dhe kthen një top në qendër për Vilën, por gjuajtja e mesfushorit nga hyrja e zonës ndalet nga Kuqi që në nisje.

30′ GOL! Ende pa e marrë veten nga goli i parë, Flamurtari pëson edhe të dytin. Lorenc Trashi thellon epërsinë e Partizanit me një të majtë spektakolare nga goditja e lirë pranë zonës. Frashëri nuk mund të bëjë dot asgjë për të ndalur gjuajtjen e 24-vjeçarit.


24′ GOL! Partizani në avantazh, dhe është sërish Ekuban që shënon. Sulmuesi merr një pasim të gjatë nga Fejzullahi, e merr topin bukur dhe me një të majtë të fuqishme mposht Stivi Frashërin. Goli i tretë për 22-vjeçarin në dy ndeshjet e fundit, i katërti në këtë sezon.


13′ Batha rrëmben një top në mesfushë dhe provon nga distanca, por e djathta e mesfushorit është e dobët dhe e pasaktë. Asnjë rrezik për Frashërin.

2′-10′ Minuta të qeta, me lojën që përqendrohet në mesfushë. Asnjë rast për t’u shënuar.

1′ Vlonjatët menjëherë të rrezikshëm. Radoviç gjen hapësirë në qendër të mbrojtjes së kuqe dhe shfaqet përballë Hoxhës që e ndal në dalje. Aty Danilo Alvesh gjuan lart topin e kthyer nga portieri i Partizanit. Mundësi e shkëlqyer për formacionin bregdetar.


1′ Fillon takimi në “Elbasan Arenën” me pak tifozë. Topin e parë e luan Flamurtari nga mesi i fushës.

Nis ndeshja

Partizani 4 – 0 Flamurtari (Ekuban 24′, Trashi 30′, Vila 86′, Bardhi 88′)

Partizani (4-2-3-1): Hoxha; Fejzullahi, Krasniqi, Atanda, Ibrahimi; Batha, Trashi (Mazrekaj 87′); Vila, Torasa (Bardhi 69′), Ekuban; Fili (Ramadani 60′).
Trajner: Sulejman Starova

Flamurtari (4-2-3-1): Frashëri; Beqaj, Berisha, Kuqi, Veliu; Zeqiri, Telushi (Shehaj 67′); Radoviç (Dushku 54′), Shkodra, Fazliu (Galiç 75′); Alvesh.
Trajner: Gugash Magani

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

KV: Batha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"