Kur Partizani e kishte një stadium, që sot e ka Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 22:36

Kur Partizani e kishte një stadium, që sot e ka Tirana

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Sot, në vitin 2018, Partizani ende nuk e ka një stadium të tijin. Por dikur e ka pasur ama… Këtë fakt shumë interesant, madje të rrallë, e zbulojmë te “Sporti Popullor”, në disa numra të tij të fundmajit 1949, me titujt: “Më 24 Maj inaugurohet Stadiumi Ushtarak, një vepër e madhe fizkulturale e re”, dhe: “Me rastin e përvjetorit të Kongresit të Përmetit dhe formimit të Divizioni I.

Zhvillohet Festivali Inauguronjës i ‘Stadiumit Partizani’”. Shtyrë nga kurioziteti e për të mësuar diçka rreth tij, kur dhe si u ndërtua, për çfarë shërbeu, edhe si një detaj për vetë historinë e klubit, tashmë kur informohemi se një stadium me emrin “Partizani” ka ekzistuar në kryeqytet. Si vijoi historia e tij dhe çfarë bëhet me të sot? A ekziston sot ai stadium? Si e kujton Remzi Bulku, ish-futbollist i viteve ‘50-të, sportist i njohur, personazh i një gjenerate që i ka jetuar nga afër ato vite dhe atë eveniment të kohës?

stadiumi partizani

FILLIMI I PUNIMEVE

Bëhet fjalë për një stadium në periferi të Tiranës, te kazermat e Ali Rizait, siç njihet nga qytetarët kryeqytetas ajo zonë ish-ushtarake italiane, por me largimin e tyre u duk si fushë e harruar, kur papritur informohemi nga “Sporti Popullor” që inaugurohet një stadium, madje ushtarak me emrin “Stadiumi Partizani”. Punimet për ndërtimin e stadiumit ushtarak “Partizani” filluan në prillin 1949 nën kujdesin e interesimin e gjallë të Komandës së Përgjithshme që – sipas shtypit sportiv – ishte një vepër e madhe sportive dhe do të shërbente për përhapjen dhe zhvillimin e fizkulturës në radhët e ushtrisë.

Nga “Sporti” lexojmë se Komanda e njësisë gjeti personelin e nevojshëm teknik, vuri në dispozicion mjete transporti, vegla pune e të holla për plotësimin e mjeteve e materialeve dhe organizoi punimet me katër turne, me qëllim që të punohej vazhdimisht dhe aksioni të mbarohej brenda 1 Majit. “Ishin 21 ditë aksioni, që nuk ishin ditë të zakonshme pune, por ditë pathetike pune me sulm: për Stalinin, për Partinë tonë, për Partinë Bolshevike, për Komandantin.

Secili ushtar i kishte vënë vetes të kalonte normën. Midis reparteve u zhvillua një frymë emulacioni i zjarrtë dhe ata qenë vazhdimisht në garë midis tyre. Punimet për ngritjen e tij muarrën fund më 1 Maj të këtij viti. Faktorët më të rëndësishëm në ndërtimin e tij kanë qenë: puna e vrullshme e vullnetare e ushtarakëve, ndihma e gjithanshme dhe e madhe e komandës, puna e palodhur e Irfan Tërshanës, përgjegjës i ndërtimeve pranë K.K.F. S, i cili drejtoi punët teknike të këtij stadiumi. Sidomos enthusiasmi e vendosmëria për punën e anëtarëve të Partisë e të rinjve komunistë”, e përshkruan faqja e parë e “Sporti Popullor” situatën gjatë ditëve të ndërtimit.

stadiumipartizani

“PARTIZANI”, NJË STADIUM OLIMPIK

Nga të dhënat që jep shtypi, stadiumi ushtarak ka dimensione olimpike dhe është ndërtuar sipas rregullave e madhësive teknike: fushë futbolli, vende kërcimi, platforma hedhje e flakje, ring boksi, një tribunë qendrore të mbuluar dhe rreth e rrotull me tri shkallë për spektatorët. Stadiumi “Partizani” ishte i dyti në vendin tonë – sipas “Sportit” që informon: “Muarrën fund punimet dhe po bëhen përgatitje për inaugurimin e stadiumit ushtarak. Më 24 Maj, ditë dy herë e shënuar për repartet e Divizonit ‘Tirana’, që koincidon me ditën e Kongresit të Përmetit, u zhvillua në Tiranë ceremonia inauguronjëse e stadiumit ‘Partizani’. Fusha ishte plot me ushtarakë.

Në tribunë zinin vend anëtarët e Byrosë Politike të PPSH Gjeneral Major Beqir Balluku e Gjeneral Major Hysni Kapo, n/Kolonel Sadik Bekteshi, këshilltarët sovjetikë ushtarakë Kolonel Sokolov, n/ Kolonelat Novikov e Nefarostov, Kolonelat Gjin Marku e Teki Kolanevci, n/Kolonelat Hito Çako e Qazim Kondi, Kryetari KKF shoku Llazar Lipivani. Ndërsa jepen të dhëna teknike, lidhur me ndërtimin e tij, në aspektin finanaciar për ngritjen e këtij stadium pushtetit i janë kursyer më tepër se 11.000.000 lekë”, shkruan “Sporti Popullor”.

E NJOHUR SI FUSHA E QYTETIT TË NXËNËSVE

Nisur nga kushtet, parametrat dhe i vlerësuar si stadium i dytë në Shqipëri, për numrin e shumtë të takimeve midis skuadrave në aktivitetin kombëtar, atë lokal, në dhjetëvjeçarin që vijoi pak u shfrytëzua dhe u luajt. U përdor kryesisht vetëm për stërvitje, ndeshje për të rinj dhe rrallë ndonjë përballje elite. Ai pothuajse u braktis, madje edhe emri “Stadiumi Partizani” u harrua dhe as nuk u përdor më. Ishte 17 Nëntori, klubi që e mori në administrim nga fundi i viteve ‘50, ku stërvitej skuadra e parë dhe ku janë zhvilluar takimet e të rinjve. Në dekada, ai mjedis u njoh si “Fusha e Qytetit të Nxënësve”, kjo edhe për arsye se në atë zonë u ndërtuan mjaft objekte shkollore. Deri në vitet ‘90, pas të cilave emri ndryshoi sërish dhe stadiumi u quajt “Skënder Halili”, për kontributin e në kujtim dhe vlerësim të ishfutbollistit, mbrojtësit legjendar 17-nëntoras e të kombëtares, një figurë e rëndësishme për klubin.

remzi bulku

NDESHJET E PAHARRUARA

Fusha e “Qytetit të Nxënësve”, pas viteve ‘60 pati një lulëzim të dytë, pasi ajo u përfshi në kalendarët e aktiviteteve kombëtare, si një fushë tjetër aneks e kryeqytetit, kur Tirana kishte dy, “Qemal Stafën” e “Dinamon”. Madje, aty janë zhvilluar mjaft ndeshje të aktiviteteve zyrtare, disa të paharruara në memorien sportive. Nga gjysmëfinalja e parë në marsin e 1963, Partizani17 Nëntori 0-1 (gol T. Gjoka), tek e dyta e 23 marsit kur “në një stadium të vogël e të tejmbushur me 6 rrallë tifozë, – shkruan ‘Sporti’, – luhet gjysmë- finalja e Kupës së Republikës, Partizani-17 Nëntori 0-1, (Ishka 48’), një takim të cilin Partizani e përfundoi me dhjetë lojtarë pas përjashtimit nga loja të Panos”. Dhe në vijim, më 30 mars, 17 Nëntori-Besa, finalja e parë. Kur arbitri Sami Kotherja vërshëlleu fundin e 90 minutave, kavajasit ishin fitues 3-2 (Dimroçi, Ikonomi (aut), Mema A. (11m), Gjoka, Lilamani), rezultat që përmbyset pas një jave në sfidën e kthimit, ku tiranasit triumfojnë 1-0 (Ishka 12’), e pasi arbitri Godari ka sinjalizuar fundin e 120’ dhe shifrat janë 3-3, vendosin 11- metërshat: Bukoviku realizon pesë goditje, ndërsa Ali Mema në rolin e portierit pret tre penallti të kundërshtarëve dhe trofeun e merr 17 Nëntori.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"